Bota
“BE” e tronditur nga rreziqet e mallrave që shet Temu dhe Shein

Komisioneri i drejtësisë i Bashkimit Europian ka shprehur tronditje për toksicitetin dhe rreziqet e disa mallrave që shiten nga Shein dhe Temu. Me 12 milionë pako me vlerë të ulët që vijnë çdo ditë në BE nga shitësit online jashtë bllokut, Michael McGrath është zotuar të marrë masa të ashpra për ata që shkelin hapur ligjin. McGrath bën me dije se po pret rezultatet e një operacioni sekret blerësish në të gjithë BE-në për të kuptuar nëse shitësit me pakicë po anashkalojnë ligjet e BE-së.
Ndër shembujt më të këqij që hasi McGrath ishin biberonat për foshnje me rruaza, të cilat përbëjnë rrezik mbytjeje sepse nuk kishin vrimën e madhësisë së rregulluar për t’i mundësuar një foshnje që të merrte ajër. Të tjerë mallra janë mushamatë për fëmijë që dyshohen se kanë kimikate toksike, syze dielli pa filtër UV dhe pantallona të shkurtra për fëmijë me lidhëse, gjatësia e të cilave është jashtë normave të lejuara.
Ata gjetën gjithashtu produkte kozmetike që përmbanin butilfenil metilpropional, i njohur edhe si Lillal, i cili është i listuar si një kimikat me “rrezik shumë të lartë” nga BE-ja dhe është ndaluar që nga viti 2022 për shkak të shqetësimeve se ndikon në fertilitet dhe zhvillim të fetusit. Vitin e kaluar, qeveria e Mbretërisë së Bashkuar u tha konsumatorëve të hidhnin çdo produkt që përmbante përbërësin.
“Jam i shokuar dhe mendoj se kemi detyrë të mbrojmë konsumatorët evropianë,”- tha McGrath për Guardian.
Vitin e kaluar, Safety Gate mori një rekord prej 4,137 alarmesh, ku më shumë se një e treta lidhej me kozmetikën, madje më shumë se lodrat, pajisjet elektrike dhe produktet automobilistike dhe kimike. Ndërsa grupet e konsumatorëve janë të shqetësuar për sigurinë, McGrath është gjithashtu i shqetësuar se platformat që kanë popullaritet dy vitet e fundit po dëmtojnë bizneset lokale përmes konkurrencës së padrejtë.
Shifrat e BE-së tregojnë se 12 milionë artikuj me vlerë të ulët hyjnë në bllok çdo ditë, duke kapur 4.6 miliardë dërgesa nën 150 euro për vitin 2024 – dyfishi i dërgesave të vitit 2023 dhe 3 herë më shumë se në vitin 2022. Ndër masat që BE-ja po shqyrton është heqja e pragut prej 150 eurosh pa taksa dhe futja e një tarife trajtimi për secilën pako, e cila mund të dekurajojë blerjet me vlerë të ulët dhe të ndihmojë në pagesën e kostos së hetimeve shtesë doganore.
McGrath tha se “mbetet për t’u parë” nëse kjo temë do të ngrihet për t’u diskutuar në një samit BE-Kinë që do të mbahet në Pekin më 25 korrik, por shton ai planifikon ta trajtojë atë drejtpërdrejt vetë kërë çështje.
Nga ana tjetër, Shein tha se po investonte 15 milionë dollarë këtë vit në nisma përputhshmërie dhe sigurie, duke përfshirë 2.5 milionë teste të cilësisë së produkteve dhe sigurisë, dhe ka partneritete me 15 qendra testimi, duke përfshirë operacione në Mbretërinë e Bashkuar dhe Gjermani. Në kuadër të këtij operacioni bëri me dije se kishte hequr 500 shitës nga tregu.
“Të gjithë shitësit tanë duhet të jenë në përputhje me kodin e sjelljes së Shein dhe standardet e rrepta të sigurisë, dhe gjithashtu duhet t’i përmbahen ligjeve dhe rregulloreve përkatëse të tregjeve ku operojmë.”
Temu, gjithashtu është kontaktuar për koment, por ende nuk ka asnjë përgjigje.
Marrë nga “TheGuardian“

