Kosova
BE-ja duhet të trajtojë sa më parë dhe me seriozitet kërkesën e Kosovës për anëtarësim
Autoritetet e Kosovës kanë intensifikuar thirrjet drejt BE-së për të përshpejtuar procesin e shqyrtimit të aplikimit për anëtarësim në bllokun 27-shtetesh.
Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian të trajtojë “sa më parë” kërkesën e Kosovës për anëtarësim në bllokun 27-shtetesh gjatë takimit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor” në margjinat e sesionit të 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB).
Gërvalla ftoi grupin të përkrahë aplikimin e Kosovës për në BE dhe të ndihmojë konkretisht në trajtimin e kërkesës së dhjetorit të vitit 2022 duke vënë në pah faktin se nuk duhet lejuar Rusia dhe aleatët e saj në rajon të diktojnë ritmin e zgjerimit të BE-së.
Në fjalën e saj para homologëve nga Ballkani Perëndimor, kryediplomatja kosovare ka prezantuar perspektivën e Kosovës në procesin e integrimit në BE, duke theksuar se Kosova është prijëse e dëshmuar e rajonit, veçanërisht sa i përket sundimit të ligjit dhe standardeve demokratike, por edhe rritjes ekonomike.
Ndryshe, në procesin e zgjerimit aktualisht ndodhen dhjetë vende, nëntë prej të cilave kanë statusin e vendit kandidat. Kosova vazhdon të mbetet shteti i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk nuk e ka fituar statusin e vendit kandidat. E sanksionet e vendosura nga BE-ja kundër Kosovës para më shumë se një viti, zor se mund të injorohen.