Rajon
BE-ja po garanton përshkallëzime të reja/ Kritikohet takimi i Varhely-it me ministren serbe
Në kohën kur debati publik është orientuar mbi nevojën e sanksionimit të Serbisë nga ana e Bashkimit Evropian pas sulmit terrorist në Banjskë, Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi të mirë i BE-së, Oliver Varhelyi dhe ministrja e Integrimeve Evropiane të Serbisë, Tanja Misçeviç, kanë diskutuar për rrugën përpara të Serbisë drejt integrimit në Unionin Europian. Përmes një postimi në platformën sociale ‘X’, Varhelyi, nënvizoi faktin se axhenda e reformës së Unionit është një prioritet kryesor për Serbinë, teksa dhe ka inkurajuar këtë të fundit të vazhdojë të tregojë përkushtimin e saj për sundim të ligjit. Megjithatë takimi i Komisionerit të BE-së me ministren serbe, sidomos pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, u kritikua nga njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare. Sipas analistit politik, Agon Maliqi, BE-ja me këtë qasje ndaj Beogradi zyrtar po garanton përshkallëzime të reja në terren. “Kanë kaluar pothuajse tre javë që kur një kryengritje e armatosur nga një strukturë e sponsorizuar nga Serbia u zbulua dhe u ndalua në Kosovë nga policia dhe NATO. Zero masa ndëshkuese të marra nga BE-ja, vetëm fjalë inkurajimi. Me këtë nivel parandalimi garantohen përshkallëzime të reja”, shkroi Maliqi në platformën sociale, X. Në të njëjtën linjë të mendimit është edhe ligjëruesi në Universitetin Warwick të Britanisë së Madhe, Andi Hoxhaj. Sipas tij Varhelyi ende po mund të vlerësojë përpjekjet e Serbisë në fushën e sundimit të ligjit përkundër faktit se Serbia ishte ajo e cila qëndroi prapa grupit terrorist i cili hyri ilegalisht në Kosovë sulmoi Policinë duke lënë të vrarë një pjesëtarë të saj.