Connect with us

Kosova

BE-ja s’komenton gjetjen e armëve në Veri, do që Kosova të mos marrë hapa të njëanshëm 

Për dy herë radhazi institucionet e Kosovës gjatë javës së kaluar, gjetën armatim në pjesën veriore të vendit, ku në rastin e fundit rezultoi që armatimi të ishte i fshehur nga terroristët e sulmit të Banjskës, megjithatë Bashkimi Evropian ka refuzuar të komentoj gjetjen e këtyre armëve.

Zëdhënësi i Unionit, Peter Stano, në një konferencë për media ka thënë se për muaj të tërë kanë parë “hapa të njëanshëm” nga Kosova.

“Natyrisht se ne jemi të shqetësuar për situatën në Veri të Kosovës, sepse kemi parë në të kaluarën hapa të njëanshëm, të pakoordinuar, që kanë çuar deri te përshkallëzimi i ri. Dhe kjo lidhet edhe me çështjen e masave. Përshkallëzimi i vazhdueshëm rezultoi me masat e BE-së”.

Unioni Europian, shpreson që eskalimet të parandalohen nga të dyja palët, në të kundërtën ka paralajmëruar forma të tjera për t’i ndaluar veprimet e tyre përvec deklaratave publike.

Më 14 qershor, Policia e Kosovës, ka bërë të ditur se konfiskimi i sasisë së armatimit në Veri të Kosovës, është bërë në bashkëpunim me Agjencinë e Inteligjencës (AKI).

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, në një konferencë për media ka thënë se operacioni është bërë në disa lokacione ku ndodhej armatim i fshehur nga ish-pjesëtarë të Mbrojtës Civile dhe pjesëtarë të grupit terrorist të Banjës.

Edhe më 13 qershor, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, njoftoi se Policia e Kosovës konfiskoi sasi të konsiderueshme të armatimit në pjesën veriore të territorit të Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Prej sulmit terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit – një nga katër komunat e banuara me shumicë serbe – në pjesën veriore të vendit, ku një grup prej dhjetra paramilitarësh serbë sulmuan Policinë e Kosovës, autoritetet kosovare kanë prezantuar disa herë armatim të konfiskuar.

Advertisement