Bota
BE kërcënon Trump: Nëse bisedimet për tarifat dështojnë, do taksohen gjigantët e teknologjisë

Bashkimi Evropian paralajmëron taksa ndaj gjigantëve të teknologjisë amerikane, nëse dështojnë bisedimet me Presidentin Donald Trump për uljen e tarifave për mallrat evropiane.
Ky është plani që po përgatit unioni, tha Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila foli për një sërë kundërmasash ndaj Shteteve të Bashkuara.
“Ne po zhvillojmë masa hakmarrëse, të cilat potencialisht përfshijnë taksimin e të ardhurave nga reklamat dixhitale të kompanive si Meta, Google dhe Facebook. Ka një gamë të gjerë kundërmasash, në rast se negociatat nuk janë të kënaqshme”, tha Von der Leyen.
Bashkimi Evropian njoftoi një ditë më parë se do të ndalonte tarifat hakmarrëse ndaj Shteteve të Bashkuara për 90 ditë, menjëherë pasi Trump vendosi të pezullonte për një periudhë 90-ditore tarifat ndaj unionit dhe vendeve të tjera, përveç Kinës.
Blloku i 27 vndeve ishte goditur nga tre grupe tarifash amerikane: tarifa 25% për çelikun dhe aluminin; Taksa 25% për makinat dhe 20% tarifë “reciproke” për të gjitha mallrat e tjera.
Pavarësisht ndalimit të tarifës “reciproke”, Trump ende po vendos një tarifë prej 10% për dhjetëra partnerë tregtarë, përfshirë BE-në. Von der Leyen tha se Bashkimi Evropian është i përkushtuar për negociata konstruktive me SHBA për heqjen e taksave.

