Rajon
BE kërkon që të hetohen parregullsitë e mundshme në zgjedhjet në Serbi
Bashkimi Evropian, ka bërë thirrje që të hetohen rastet e akuzave për parregullsi gjatë zgjedhjeve, që u mbajtën në Serbi më 17 dhjetor dhe që të ruhet qetësia.
Kështu tha zëdhënësja e BE-së, Nabila Massrali, duke u përgjigjur në pyetje rreth zhvillimet e fundit në Serbi, ku po vazhdojnë protestat me kërkesa për anulimin e zgjedhjeve dhe shpalljen zgjedhjeve të reja.
“Ankesat për parregullsi në zgjedhje duhet të hetohen dhe të adresohen në mënyrë të duhur. Përderisa e drejta për protesta paqësore duhet të respektohet, dhuna nuk është zgjidhje dhe është e papranueshme”, tha ajo.
Më 17 dhjetor, Serbia mbajti zgjedhje parlamentare, lokale dhe krahinore.
Partia Progresive Serbe (SNS) e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka shpallur fitore në të gjitha nivelet.
Misioni vëzhgues i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë tha më 18 dhjetor se zgjedhjet u përshkruan me parregullsi serioze, keqpërdorim të fondeve shtetërore, me fushatë negative dhe përhapje të frikës.
Ndërkaq, eurodeputetët kanë kërkuar hetim të pavarur për të gjitha parregullsitë në zgjedhjet serbe.
Shtetet e Bashkuara po ashtu, u kanë bërë thirrje autoriteteve në Serbi që të hetojnë pretendimet për parregullsi të bëra nga vëzhguesit ndërkombëtarë.
Më 24 dhjetor, lista opozitare, “Serbia kundër dhunës” që ka organizuar disa protesta kundër rezultatit zgjedhor – protestoi para Kuvendit Komunal në Beograd, duke kërkuar anulimin e zgjedhjeve.
Protesta ishte e tensionuar, pasi protestuesit thyen xhamat e dritareve të objektit, teksa tentuan të hynin në Kuvendin Komunal të Beogradit.
Massrali nga BE-ja tha se “veprimet e policisë duhet të jenë proporcionale dhe të respektojnë të drejtat themelore të njeriut, brenda sundimit të ligjit”.
“BE-ja bën ftesë për qetësi dhe dialog”, tha ajo.
Deri më tani, BE-ja ka qenë e përmbajtur në prononcimet për zhvillimet në Serbi.
Nga Brukseli kanë folur për nevojën që të adresohen vërejtjet dhe parregullsitë, por nuk u janë adresuar konkretisht kërkesave të opozitës dhe studentëve që po protestojnë.