Kronike
BE përplaset me Kurtin, nuk pajtohet me ligjin për zyrtarët publikë

Reforma në administratë publike është një prej objektivave kyçe në programin e Qeverisë të Kosovës, porse ka politizim në proceset e rekrutimit dhe mungesë të meritokracisë. Kështu ka thënë kryeministri i Kosovës Albin Kurti në konferencën vjetore “Par Progresi Kosovë 2023”, të organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike ndërkaq ambasadori i BE-së në Kosovë, tha se Bashkimi Evropian nuk pajtohet me mënyrën se si qeveria ka zgjedhur të shqyrtojë Ligjin për zyrtarët publikë. Kryeministri Kurti tha se administrata publike efikase është parakusht thelbësor i zhvillimit, duke shtuar se kjo është edhe një nga objektivat kyçe të qeverisë. Republika e Kosovës qartazi e ka përcaktuar orientimin dhe politikat e saj shtetërore drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, kemi ndërmarrë barrën e reformimit të sektorëve jetik, përfshirë këtu edhe reformimin e administratës publike. Faktorët dhe shkaqet që kanë ndikuar në nevojën e një reformimi thelbësor në administratën publike kanë variuar përgjatë viteve. Megjithatë në mënyrë konstante, ata kanë mbërthyer urgjencën që administrata t’i përgjigjet zhvillimit të kohës dhe kontekstit social në vend”, u shpreh Kurti.

