Connect with us

Aktualitet

BE po mbytet në urën e Ibrit

Nga Agustin Palokaj

Edhe ata që nuk e duan aq shumë BE-në e pranojnë se ajo ka dy arritje të mëdha. E para është liria e lëvizjes brenda bllokut pa kontrolle kufitare dhe e dyta është valuta e përbashkët, euro.

Pikërisht këto vlera bënë që BE-ja të angazhohet që edhe vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor të hapen sa më shumë ndaj njëra-tjetrës, të lehtësojnë kalimin përmes kufijve, me qëllim që një ditë të hiqen tërësisht.

Por tani BE-ja paralajmërimet nga autoritetet e Kosovës se do të hapin këtë urë për qarkullimin e automjeteve i quan si të rrezikshme, si veprime që mund të sjellin rritje të tensioneve.

Është për keqardhje pse BE-ja mendon kështu. Është për keqardhje pse ura vazhdon të jetë e mbyllur. Është për keqardhje pse Qeveria e Kosovës e përdor edhe këtë temë për qëllime politike në prag të zgjedhjeve. Është po aq për keqardhje se si serbët në veri të Kosovës e konsiderojnë mbajtjen e urës të mbyllur si kusht për mbijetesën e tyre. Por në anën tjetër, mos-hapja e urës godet rëndë vlerat e BE-së dhe NATO-s.

Hapja për qarkullim të automjeteve e urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë nuk do t’ua ndryshojë shumë jetën qytetarëve në asnjërën anë të lumit. Por mbajtja e asaj ure mbyllur është një simbol i dështimit të BE-së e cila e ka sjellë veten në një situatë në të cilën bllokimi i urës konsiderohet si ruajtje e stabilitetit.

Kosova veten e konsideron si shtet. E në dialog, as diku tjetër, Kosova nuk mund të sillet sikur është neutrale ndaj statusit të vetvetes, sikur do të donin disa në BE. Prandaj Kosova ka bërë veprime në veri për të forcuar bindjen se ajo si shtet po e përhap sovranitetin në atë pjesë të vendit, dhe në terren në një masë ka arritur të ndryshojë situatën edhe pse është e tepruar të thuhet se Kosova e ka tërësisht nën kontroll edhe veriun. Veprimet që kanë dëshmuar rritjen e sovranitetit të Kosovës edhe në veri kanë pasur çmim jo të vogël për Kosovën.

Duket se kjo qeveri e Kosovës ka llogaritur se ia vlen të paguhet edhe ky çmim, i shprehur përmes sanksioneve të ashpra të BE-së ndaj Kosovës. Duke e parë se BE-ja nuk do t’ia heqë sanksionet Kosovës, e nuk e ka ndërmend t’i vendosë kurrfarë masash Serbisë, Qeveria e Kosovës mund të ketë vendosur që edhe më shumë të acarojë raportet me BE-në. Sepse në BE gjithmonë do të gjinden ata që do të bllokojnë heqjen e masave ndaj Kosovës dhe gjithmonë do të gjinden ata që do të bllokojnë vendosjen e masave ndaj Serbisë. Ata sanksionojnë Kosovën dhe nuk duan të ndërmarrin asnjë masë ndaj Serbisë.

Edhe për urën mbi lumin Ibër bëhet garë se kush ka të drejtë të vendosë. Sepse ajo është bërë simbol dhe test i pushtetit. Beogradi insiston se pa pajtimin e Serbisë nuk mund të hapet ura. Por në anën tjetër, Kosova, nëse e konsideron veten si shtet, nuk mund të pres leje nga një shtet fqinj, për më tepër i cili ka qëllime armiqësore ndaj Kosovës, nuk mund të pres leje nga Serbia për hapjen e urës. Kjo garë se kush e kontrollon veriun nuk është e re. Ekziston që nga çlirimi i Kosovës dhe po vazhdon. Qytetarët nga të dyja anët e lumit janë përdorur vetëm si vegël në këtë garë politike. E kështu do të jetë edhe në të ardhmen.

 

Advertisement