Kosova
BE prezanton udhërrëfyesin obligativ për zbatimin e Marrëveshjes Bazike
Ka kaluar plot 1 vit që kur është dakorduar Aneksi Implementues i Marrëveshjes Bazike mes Kosovës dhe Serbisë, teksa ndërkohë, dialogu mbetet i paralizuar.
Serbia pretendon që nuk ka asnjë obligim për ta zbatuar marrëveshjen bazike në tërësi, ndërkaq Kosova pretendon që pa nënshkrim formal realisht nuk ka marrëveshje mes palësh, rrjedhimisht Kosova nuk obligohet prej saj.
Sipas ‘Albanian Post’, ballafaquar me këto obstruksione thelbësore, bazuar në konkluzionet e Këshillit Evropian nga marsi 2023, në dhjetor 2023, BE ka nisur që procesin formal që zbatimin e Marrëveshjes Bazike ta integrojë si kusht formal në procesin e integrimit evropian për të dyja palët. Konkretisht, zbatimi i marrëveshjes të bëhet pjesë e kapitullit 35 për Serbinë, dhe si proces i veçantë i Kosovës në rrugën drejt BE-së. Ky proces është në fazat e fundit të formalizimit dhe nga dita në ditë pritet njoftimi zyrtar.
Në momentin kur BE e zyrtarizon zbatimin e marrëveshjes bazike si kusht formal për integrimin evropian të Serbisë dhe të Kosovës, situata ndryshon si në thelb ashtu edhe në formë. Pas zyrtarizmit të këtij hapi, BE do të duhet dalë me një udhërrëfyes disa pikësh mbi zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Implementimit. Esencialisht, me këtë udhërrëfyes, Bashkimi Evropian do duhet të qartësojë në terma konkret se çfarë BE konsideron zbatim të kënaqshëm të Marrëveshjes Bazike dhe të Aneksit të Implementimit. Më tutje, BE do duhet të qartësojë se pa përmbushjen e këtij udhërrëfyesi nuk mund të ketë përparim në rrugën e mëtejme evropiane dhe as akses në fondet e zhvillimit për Ballkanin Perëndimor.
Siç thotë AP, BE nuk do të negociojë më me palët rreth zbatimit të asaj që është dakorduar, dhe as nuk do të ndikohet nga retorika e imponuar që zbatimi nga njëra palë varet nga zbatimi që bën pala tjetër, apo nga çfarëdo deklarimi që mund të bëjnë palët.
Kosova dhe Serbia do të vlerësohen veçantë nga njëra tjetra për zbatimin e udhërrëfyesit. Rrjedhimisht, nëse Serbia zbaton pjesën e saj, Serbia mund të shpërblehet, ndërkaq Kosova të penalizohet edhe më tutje, apo e kundërta.