Connect with us

Kosova

Bechev konsideron se Kurti e Vuçiç përfitojnë nga tensionet në veri

Dimitar Bechev, ligjërues në Universitetin e Oksfordit dhe njohës i zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, nëpërmjet një postimi në platformën “X”, konsideroi se Serbia nuk do ta pushtojë Kosovën, porse kryeministri kosovar Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç, përfitojnë nga situata e tensionuar në pjesën veriore të Kosovës.

“Kjo është një fitore e favorshme për të dyja palët. Kurti mbron integritetin e Kosovës, ndërsa Vuçiç merr meritat si paqebërës” – ka shkruar Bechev, teksa dhe shpërndau artikullin e gazetës britanike “The Telegraph” që raportoi se masat e sigurisë në Kosovë janë shtuar ndërsa është rritur edhe frika se Serbia mund të lëvizë ushtrinë drejt Kosovës nën përkrahjen e Rusisë.

“Vuçiç në fakt nuk pushton”- shkroi ndër të tjera Bechev, duke u referuar në reportazhin e “The Telegraph” mbi tensionet gjithnjë e më të mprehta ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe paralamërimeve se presidenti rus, Vladimir Putin, synon t’i nxisë palët drejt skajeve të krizës.

Kujtojmë se në artikullin e gazetës së njohur britanike përmendet edhe sulmi terrorist i paramilitarëve serbë në fshatin Banjskë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës, ndërsa autorja e reportazhit kujton se prej 24 shtatorit 2023, policia kosovare kryen patrulla rutinore përgjatë kufirit, duke kërkuar rrugët ilegale që çojnë në Serbi.

Advertisement