Connect with us

Sport

Befason klubi shqiptar, zgjedh një femër si zëvendëstrajnere

Befasojnë në Peqin. Shkumbini thyen çdo lloj “tabuje” dhe merr një femër si zv.trajnere. Jemi mësuar që t’i shohim vajzat rëndom në gjykimin e ndeshjeve të meshkujve, por kurrë në stafin e një ekipi dhe sidomos profesionist.

Për të thyer akullin kanë menduar bardhekaltrit, që edhe këtë vit militojnë në Kategorinë e Dytë. Do të jetë Ilknur Aktash ndihmësja e trajnerit Hetlem Çapjas për sezonin 2023- 2024. Jemi duke folur për një turke, që dikur ka luajtur edhe futboll. Marrëveshja është arritur tashmë, madje edhe e kanë prezantuar. Gjatë deklaratës së parë të dhënë për “Panorama Sport”, biondja simpatike shprehet tepër e lumtur për këtë eksperiencë të re.

“Jam shumë e lumtur që gjendem në Peqin. Kam ardhur për të ndihmuar Shkumbinin. Më ka bindur projekti i ri i presidentit Ali Kasa. Kam mësuar se skuadra ka qenë në elitë, ndaj shpreh keqardhjen për pozitat që kanë aktualisht. Sidoqoftë, ne kemi një qëllim të qartë dhe do të kërkojmë ngjitjen”, tha fillimisht Aktesh. Ajo rrëfen jo vetëm të shkuarën e vet si futbolliste, por edhe në një rol drejtues te Fenerbahçe: “Më parë kam qenë lojtare, pra kam luajtur futboll. Por edhe drejtuese, konkretisht tek ekipi i Fenerbahçes. Eksperienca nuk më mungon, ndaj dëshiroj të kontribuoj për skuadrën peqinas”.

Foli edhe për ndeshjen e radhës, që e luajnë me Pogradecin. “Besoj se do të japim më të mirën dhe do të jemi në lartësinë e duhur që në sfidën ndaj Pogradecit. Ne do t’i gëzohemi një rezultati pozitiv, por kuptohet që në futboll çdo rezultat është i pritshëm. Do të synojmë që të japim maksimumin në këtë ndeshje”, përfundoi zv.trajneri e Shkumbinit./PANORAMASPORT.AL

Advertisement