Connect with us

Politike

Begaj takim kokë më kokë me Kurtin: Funksionet publike të përkohshme, kombi i përjetshëm

Me rastin e 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës, Presidenti i Republikës Bajram Begaj ndodhet për një vizitë zyrtare në Prishtinë, ku ka zhvilluar një takim kokë më kokë me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe më pas takimin dypalësh me praninë e delegacioneve përkatëse.

Sipas njoftimit të Presidencës, Begaj ka konfirmuar qëndrimin e Shqipërisë krah Kosovës, duke theksuar faktin se çdo sukses i Kosovës, është sukses i shqiptarisë.

“Nuk ka rrugë tjetër. Shqipëri-Kosovë është një simbiozë që do të vazhdojë të ekzistojë”, – është shprehur kreu i shtetit, bashkë me urimin që ditët e mira për shqiptarët të vazhdojnë të jenë të tilla, që të dyja vendet të kenë ardhmëri më të mirë.

“Kemi mundësi të përparojmë dhe të jemi faktor i rëndësishëm për stabilitetin, paqen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit” – ka thënë Begaj, duke theksuar se për Shqipërinë mbrojtja dhe promovimi i Kosovës është në çdo agjendë ndërkombëtare.

“Funksionet publike janë të përkohshme, kombi është i përjetshëm”- deklaron Presidenti i Republikës.

Begaj e cilësoi 12 qershorin e vitit 1999 si ditën që solli lirinë mbi vuajtjet, mbi persekucionin, mbi spastrimin etnik, mbi gjenocidin dhe kjo liri, – u shpreh ai, – është e të gjithë atyre atdhetarëve që dhanë jetën, sakrifikuan dhe kontribuuan për Kosovën.

Gjithashtu, Bajram Begaj ka rikonfirmuar qëndrimin e tij për anëtarësimin e Kosovës në NATO, dhe për këtë angazhim, si dhe për lobimin në procesin e njohjes ndërkombëtare të Kosovës.

Gjatë këtij takimi, kreu i shtetit propozoi që edhe Kosova të shpallë festë kombëtare 22 nëntorin, Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, kërkesë e cila mori aprovimin e Kurtit.

Advertisement