Politike
Beleri mbetet në burg, Athina zyrtare pranon dënimin, kërkesë Shqipërisë: Duhet ta lejoni të marrë pjesë në PE
Pas dënimit nga Apeli me dy vite burg të Fredi Belerit, ka reaguar Ministria e Jashtme greke.
Në një deklaratë zyrtare Ministria pranon dënimin e tij, por i bën thirrje autoriteteve shqiptare që të krijojnë mundësinë që ai të marrë pjesë në Parlamentin Europian, si deputet i zgjedhur pak ditë më parë nën logon e partisë së Kiriakos Mitsotakis.
Reagimi:
Greqia që në fillim kishte shprehur shqetësimin dhe reflektimin e saj për shumë aspekte të çështjes lidhur me ndjekjen penale të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleris.
Në veçanti, rezervat lidhur me cenimin e prezumimit të pafajësisë, natyrën e provave të paraqitura, zbritjen e dënimit të tij, shqiptimin e një dënimi joproporcional dhe heqjen e së drejtës së tij për të bërë betim, me rezultat që Bashkia e Himarës administrohet prej një viti nga persona që nuk kanë legjitimitet demokratik.
Vendimi i sotëm i Gjykatës së Apelit Tiranë vjen në mbështetje të këtyre shqetësimeve për nivelin e shtetit ligjor dhe mbrojtjen e minoriteteve në Shqipëri.
Beleri sot nuk është vetëm kryetar i zgjedhur i Bashkisë së Himarës. Ai është gjithashtu anëtar i zgjedhur i Parlamentit Evropian.
Është, pra, një detyrim i autoriteteve shqiptare që të marrin të gjitha masat e nevojshme për t’i dhënë atij mundësinë për të marrë pjesë në punimet e Parlamentit Evropian, duke filluar nga Plenari i tij, korrikun e ardhshëm.
…
Media më e madhe greke “Kathimerini” i ka kushtuar një artikull vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila refuzoi kërkesën e kryetarit të zgjedhur të bashkisë Himarë, Fredi Beleri për t’u liruar.
Me titullin “u zgjodh eurodeputet për të qëndruar pas hekurave”, media greke citon vendimin e refuzimit të kërkesës së Belerit.
“Një gjykatë e Apelit në Tiranë hodhi poshtë të martën një apel të Fredi Belerit, kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës dhe një eurodeputet i zgjedhur për Greqinë, i cili kandidoi si kandidat i Demokracisë së Re në zgjedhjet e këtij muaji për Parlamentin Evropian. Sipas vendimit të gjykatës, Beleri do të duhet të qëndrojë në burg deri në tetor, pas dënimit të tij në fillim të këtij viti për blerjen e votave në zgjedhjet lokale të majit të kaluar në Shqipëri, akuza që ai – dhe Athina – besojnë se janë të motivuara politikisht dhe tërësisht të rreme”, shkruan Kathimerini.
Në komentet e fundit për mediat, Beleri kishte thënë se nuk ishte optimist për një lirim të parakohshëm, pasi beson se po synohet qëllimisht nga kryeministri shqiptar.
“E di që sistemi gjyqësor shqiptar kontrollohet nga Edi Rama”, ka thënë Beleri në komentet e kaluara.
Çështja Beleri ka shkaktuar një tensionim të konsiderueshëm në marrëdhëniet mes fqinjëve Greqi-Shqipëri, mbyll shkrimin gazeta greke Kathimerini.