Connect with us

Politike

Fredi Beleri u sulmua me vezë në Tiranë, reagon Athina zyrtare

Ministria e Jashtme e Greqisë ka dënuar sulmin me vezë dhe kos ndaj Fredi Belerit në Tiranë paraditen e së martës.

Në një reagim zyrtar, Ministria e Jashtme greke kërkon nga autoritetet shqiptare që të marrin masa për të garantuar sigurinë e eurodeputetëve.

“Dënojmë sharjet dhe fyerjet ndaj eurodeputetit grek Fredi Beleri gjatë vizitës në Tiranë të delegacionit të Parlamentit Europian, për të kontrolluar procesin e anëtarësimit të Shqipërisë. Autoritetet shqiptare duhet të marrin masat e duhura për të garantuar sigurinë e eurodeputetëve dhe lirinë për të bërë punën pa pengesa. Eurodeputetët përfaqësojnë interesat e qytetarëve të Bashkimit Europian dhe duhet të gëzojnë respektin e duhur”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme të Greqisë.

Eurodeputeti Beleri u godit me vezë dhe kos nga një qytetar në rrugë, që i kujtoi masakrën e Peshkëpisë. Incidenti ndodhi kur Beleri hyri në ambientet e Kryesisë së Kuvendit ku u përball me fyerje, ndërsa në dalje u godit me vezë.

Fredi Beleri erdhi në Tiranë si pjesë e delegacionit të Parlamentit Europian për takimin e radhës të Stabilizim Asociimit Shqipëri-BE. Ata u takuan fillimisht me ambasadorin e BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato dhe krerët e grupeve parlamentare, ndërsa Kryeministri Rama e anuloi takimin.

Advertisement