Connect with us

Politike

Zbulohet e vërteta, Belind Këlliçi ka bërë burg

Prej kohësh situata brenda Partisë Demokratike përbën më tepër lajm se çfarëdolloj ngjarje tjetër sidomos politike, pak për shkak se është një situatë e pazakontë, pak sepse aktorët politik të përfshirë janë tepër interesant. Me këtë dua të them, duhet të jesh shumë indiferent që të qëndrosh indiferent para një koalicioni (të përsëritur) Berisha-Meta, apo dëshirës së Berishës për të qeverisur (sërish) vendin. Por edhe aktorët e rinj politik nuk janë më pak “premtues”.

Gara për Bashkinë e Tiranës është gara më e fortë si politikisht por edhe nga ana morale pasi opozita i është përveshur prej kohësh kryebashkiakut të Tiranës, duke përdorur aferën e Inceneratorëve, kujtimin e Teatrit  etj etj. Kandidati potencial për të përfaqësuar opozitën në këtë garë të fortë është Belind Këlliçi.

Belindi nuk ka spikatur në opinionin publik, ndoshta sepse gjithmonë e shohim në lajme krahas fjalëve “Berisha”, “Ish kryeministri Berisha”, “Berisha është shpallur non grata po nuk është problem”. Ose ndoshta sepse ashtu si përgjithësisht për fatin e keq të vendit tonë të rinjtë duan aq shumë t’i ngjajnë liderit sa me kalimin e kohës e tejkalojnë edhe atë.

Belindi po përdor arrestimin që iu bë në protestën e Teatrit Kombëtar për të treguar se garën e Primavere e meriton ta fitojë ai dhe jo Gerti Bogdani, Julian Deda, Ilir Alimehmeti apo Sazan Guri pak rëndësi kanë emrat e përvecëm.

“Gjykoj që kam ofertë më të mirë. Gjykoj që e kam dhënë me prova që kam qenë një nga zërat më vokalë në denoncimin e aferave më të mëdha të Veliajt. Gjykoj që natën e shembjes së Teatrit Kombëtar, arrestimi që më është bërë nga Policia e Shtetit, është provë reale e qëndresës sime si qytetar i Tiranës.” u shpreh ai ditën e sotme.

Belindi është “oferta” më e mirë në “treg” sepse për pak bëri burg për Teatrin?! Me gjasë ajo që do të mërzitet e para është avokatja Kalaja e cila ka ulëritur për Teatrin, Neritan Licaj që ka qarë për Teatrin, vëllezërit Budina që kanë protestuar për Teatrin, roja i Teatrit, sanitaret e Teatrit, aktorët e Teatrit…edhe Alfred Lela që iu vodh biçikleta gjatë protestës për Teatrin.

Mund të vazhdoja gjatë por në listen e atyre që kanë qenë pjesë e betejës për Teatrin, janë aq shumë persona, sa në Primaret e Tiranës do të kishte më shumë kandidat se sa ka parë ai Teatër spektator muajt para se ta shembnin.

Problemi nuk duhet të jetë Belindi si individ, por politikani që është ofertë më e mire për arsye se për pak ka bërë burg për Teatrin… Imagjinoni sa pa fantazi politike duhet të jesh, se pa ide konkrete e dukshme që po,  sa argumentin  përse duhet të jesh TI kandidat, ta bazosh në një një gjysëm arrestim që e shet si heroizëm, në vend që të thuash qoftë edhe një ide se përsë një ditë Tirana duhet të zgjohet dhe ta bëjë Belindin që për pak bëri burg, kryetar të saj!

Advertisement