Politike
Belind Këlliçi: E kam tronditur Erion Veliajn

Belind Këlliçi thotë se ka konstatuar një vrull sulmesh nga administrata e kryebashkiakut aktual Erion Veliaj në këtë fushatë, në veçanti kundër njërit prej premtimeve të tij kryesore: Transportit publik falas.
Këlliçi tha se ky program ka marrë një mbështetje të gjerë popullore, sepse i kursen çdo familjeje 52 mijë lekë çdo muaj, çdo familjeje që e përdor këtë transport në Tiranë.
I shërben 200 mijë qytetarëve në ditë dhe mbi të gjitha sjell barazi sociale në Tiranë dhe është një kosto jetese që i lehtësohet çdo qytetari të Tiranës. Mesatarisht familjeve që përdorin transportin publik ne i ulim një barrë financiare mujore 52 mijë lekë!
52 mijë lekë në muaj do të kursejë çdo familje që e përdor transportin publik sot dhe do t’i ketë më shumë në xhep. Tani, ky premtim nuk bëhet për këta gazetarë që paguhen nga inceneratorët, nuk bëhet për të pasurit, nuk bëhet për Erion Veliajn, bëhet për qytetarët e thjeshtë, bëhet për qytetarët që jetojnë në kushte minimale jetese, në minimum jetik, bëhet për ata që janë me asistencë ekonomike, përata që janë në nevojë ekonomike, bëhet për pensionistët, për studentët.
A nuk ishte e tmerrshme javën e kaluar kemi parë radhët e studentëve nga ora 8 e mëngjesit deri në orën 16:00, në radhë të tëra gjithë ditën për të marrë një abone?! Nga ana tjetër, a është e pafalshme për këtë qytet, këtë administratë që edhe abonetë nuk ua afron të gjithë qytetarëve, po i ka me numër të limituar?!
E gjithë politika aktuale e bashkisë së Tiranës është për goditur qytetarin. Abone mund të marrësh kudo në botë, ditore, mujore e zgjedh si të duash, ndërkohë vetëm këtu në Tiranë e ke me numër të limituar dhe duhet të bjerë bingoja që të marrësh një abone apo të marrësh dhe një vend parkimi”, tha Këlliçi.

