Politike
Ben Blushi kujton Nanon me fjalë të veçanta: E ushtronte demokracinë si kaprico dhe inatin si shaka
Ben Blushi ka kujtuar me fjalë të veçanta figurën e Fatos Nanos, pas ndarjes së tij nga jeta.
Në një reagim emocional, Blushi e përshkruan Nanon si një “timonier të shpenguar”, që luante me drejtimin e erës dhe jetonte politikën me intensitet, ironi dhe pasion.
“Fatos Nano i ngjan atij timonierit të shpenguar që luante me drejtimin e erës duke e lënë përkohësisht në duar të tjera drejtimin e anijes. Sa herë bëhej pishman, ai grindej me ata që u kishte lënë timonin, kacafytej dhe plagosej, e merrte anijen prapë, për ta lënë dhe për ta rimarrë sërish,” shkruan Blushi.
Sipas tij, pasioni më i fortë i jetës së Fatos Nanos ishte të rifitonte me vështirësi atë që humbte me lehtësi, ndërsa mënyra e tij për të ushtruar politikën dhe jetën ishte unike.
“Ai e ushtronte demokracinë si kaprico, inatin si shaka, humorin si detyrë, debatet si punë, largimin si pushtet dhe pushimin mes largimeve si fillim,” thekson Blushi.
Në mbyllje, ai shton se Nano kishte një aftësi të rrallë për të krijuar armiq që më pas i kthente në miq, por edhe një talent të veçantë për t’ia vështirësuar jetën vetes.
“Meqë harxhonte shumicën e forcave për të qetësuar furtunat që krijonte vetë, koha që i mbetej për punë të tjera ishte gjithmonë e pamjaftueshme,” përfundon Blushi.
POSTIMI I PLOTË
Për Fatos Nanon
Fatos Nano i ngjan atij timonierit të shpenguar që luante me drejtimin e erës duke e lënë përkohësisht në duar të tjera drejtimin e anijes.
Sa herë bëhej pishman ai grindej me ata që u kishte lënë timonin, kacafytej dhe plagosej dhe e merrte anijen prapë për ta lënë prapë dhe për ta rimarrë prapë.
Pasioni më i fortë i jetës së tij ishte të rifitonte me vështirësi atë që humbte me lehtësi.
Ai e ushtronte demokracinë si kaprico, inatin si shaka, humorin si detyrë, debatet si punë, largimin si pushtet dhe pushimin mes largimeve si fillim.
Fatos Nano kishte një aftësi të rrallë për të krijuar armiq të cilët pasi i mundte i bënte miq dhe një talent të madh për t’ia vështirësuar jetën vetes deri në mundim.
Meqë harxhonte shumicën e forcave për të qetësuar furtunat që krijonte vetë, koha që i mbetej për punë të tjera ishte gjithmonë e pamjaftueshme.