Connect with us

Shkrime

Ben-Meir rendit pesë fakte që po injorohen nga Kurti: Ai duhet të ndryshojë kurs për të mirën e Kosovës

Në një editorial të publikuar në ‘Emerging Europe’, Alon Ben-Meir, analist politik, konsulent dhe kolumnist i shumë mediave ndërkombëtare, ka listuar “pesë fakte”, të cilat, sipas tij, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duhet t’u përmbahet për të ndryshuar trajektoren e Kosovës, posaçërisht në marrëdhëniet me bashkësinë ndërkombëtare për dialogun me Serbinë.

Njohësi amerikan i zhvillimeve socio-politike në Ballkanin Perëndimor, ka vlerësuar se është shumë e habitshme se përse kreu i ekzekutivit të një vendi që varet pothuajse ekskluzivisht nga mbështetja politike e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, do të kundërshtonte rekomandimet e tyre.

Ai ka konsideruar se kryeministri Kurti do duhej të themelonte Asociacionin e Komunave me shumicë serbe që në krye të herës, ndërsa ka shtuar se bashkëpunimi BE-në dhe SHBA-të në këtë drejtim është çështje ekzistenciale për integrimet euro-atlantike të Kosovës.

Së dyti, kryeministri Kurti duket se nuk e ka vlerësuar faktin se Kosova për SHBA-në dhe BE-në është pjesë përbërëse e interesit të tyre të përgjithshëm strategjik në rajon, veçanërisht pas përpjekjeve të Rusisë për të destabilizuar edhe më tej rajonin së bashku me Serbinë.

Së treti, sipas Ben-Meir, kryeministri Kurti ka humbur shumë kohë duke tentuar t’i bindë pjesëtarët e komunitetit serb të pranojnë pavarësinë dhe simbolet kombëtare të Kosovës me vendime “jo serioze” sikurse ajo e targave apo zgjedhjeve të jashtëzakonshme të mbajtura në muajin prill në veri.

Së katërti, Ben-Meir e ka cilësuar “mjaft të çuditshëm” faktin se kryeministri Kurti ka kërkuar vazhdimisht të integrojë Kosovën në BE, por ai, siç ka thënë analisti amerikan, po e tjetërson vetë familjen që dëshiron t’i bashkohet, ndërkohë që ka dështuar të marrë masat e nevojshme për të përmbushur kushtet për integrime evorpiane.

E në fund të analizës së Ben-Meir, thuhet se kryeministrin Kurti e ka injoruar edhe “faktin e pestë”, atë që presidenti serb është në dijeni se prosperiteti i Serbisë varet nga BE-ja dhe duhet të përmbushë standardet e BE-së, por njohja e pavarësisë së Kosovës mbetet një kusht qendror për anëtarësimin e Serbisë në BE.

 

Advertisement