Connect with us

Kronike

Bënin kërdinë me vjedhje në Itali, shkatërrohet banda e hajdutëve shqiptarë! U kapën gjysmë milioni euro sende me vlerë

Policia italiane ka shkatërruar një bandë shqiptare, e cila dyshohet se ka kryer 50 vjedhje banesash brenda pak javësh në rajonet e Italisë Veriore, përfshirë Veneton, Emilia Romagna-n dhe Lombardinë.

Sipas autoriteteve, banda ka grabitur mallra me vlerë të madhe, duke përfshirë sende që kapin shifrën e mbi gjysmë milioni euro. Gjatë arrestimit të tyre, së bashku me liderin e bandës, u sekuestruan objekte si gjerdanë, byzylykë, unaza, ora, varëse, çanta, kuleta, rripa, si dhe pajisje shtëpiake si tharëse flokësh, fshesa elektrike, përpunues ushqimi dhe thika kuzhine.

Hetimet nisën në nëntor, kur agjentët analizuan provat nga disa vjedhje në zonën e Padovës. Ata rikonstruktuan lëvizjet e një bande prej tre shqiptarësh të specializuar në grabitje.

Operacioni policor kulmoi natën e 16 dhjetorit, kur një 29-vjeçar, i cilësuar si kreu i bandës, u kap në një apartament me dhjetëra sende të vjedhura, dy radio dhe disa telefona të përdorur për komunikim gjatë vjedhjeve. Ai u arrestua nën akuzën e vjedhjes dhe mbajtjes së mallrave të vjedhura.

Në një tjetër apartament në Bareggio, policia gjeti një grua, partneren e njërit prej dy të shpallurve në kërkim – një 45-vjeçar shqiptar, i dënuar më parë për vjedhje banesash në Itali dhe Belgjikë. Gruaja fshihte një pjesë të konsiderueshme të mallrave të vjedhura dhe u denoncua për mbajtjen e këtyre mallrave.

Po atë natë, policia bastisi një apartament të tretë në provincën e Bergamos, duke kërkuar bashkëpunëtorin e tretë, një 30-vjeçar me histori vjedhjesh, por nuk arriti ta gjente atë. Hetimet vazhdojnë për të vënë në pranga edhe të dyshuarin e fundit.

Advertisement