Connect with us

Shkrime

Beogradi dhe Prishtina mirëpresin zbutje në kufi

Profesori amerikan Daniel Serwer, i cili njeh mjaftë mirë zhvillimet në rajon dhe procesin e dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë ka shkruar rreth takimit të lamtumirës në Uashington në mes të dy emisarëve, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajcak.

Serwer ka thënë se të dy janë diplomatë me përvojë që e njohin mirë rajonin dhe që kanë bashkëpunuar pa shumë fërkime. Ai kujtoi se një prej çështjeve ku ka pasur mospajtim ka qenë Ballkani i Hapur, me SHBA-në që ka pasur qëndrim përkrahës ndërkohë që BE-ja e ka konsideruar si të panevojshëm dhe dyfishim i Procesit të Berlinit.

Serwer shkruan se megjithatë Escobar dhe Lajcak nuk arritën të prodhonin normalizim politik në mes të Kosovës dhe Serbisë, synim ky që ishte prioritet i tyre kryesor.

Profesori amerikan u shpreh se të dy e kishin nisur keq dhe përfunduan edhe më keq.

“Ata i premtuan Beogradit se do kenë prioritet krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe brenda Kosovës. Përfunduan pa përparim të rëndësishëm në atë prioritet të gabuar” – ka theksuar Serwer.

Profesori amerikan duke rikujtuar gjithë ngjarjet që kanë ndodhur përgjatë këtyre tri viteve potencoi se politika ndërkombëtare ka nevojë për një rivendosje. Sipas tij, është e qartë që politika perëndimore ndaj Serbisë nuk është duke funksionuar dhe se Uashingtoni e Berlini s’janë duke bërë shumë mirë në Kosovë.

“Prishtina ka refuzuar të lëvizë drejt Asociacionit, megjithë “pasojat” e kushtueshme evropiane dhe denoncimet e ashpra amerikane. Vetëm nëse Beogradi zbaton dispozitat e tjera të marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013, Prishtina do të përgjigjet në mënyrë të njëjtë. Vuçiç nuk është në gjendje ta bëjë këtë” – ka shkruar profesori amerikan.

Sipas tij, suksesi në negociata kërkon ndryshim të politikës. Serwer tha se dialogu për çështje teknike në të kaluarën ka qenë më i suksesshëm, duke qenë se ishte fokusuar në çështje që prodhonin përfitime të dukshme për qytetarët e të dy shtete…………………………….

“Pavarësisht zbatimit të ndotur, rezultatet ishin thelbësore. Edhe sot, Prishtina dhe Beogradi kanë bërë më mirë me çështje praktike si targat dhe dokumentet e identitetit, sesa me normalizimin politik”, potencoi profesori amerikan duke theksuar se kjo është rruga e duhur për të ardhmen, duke qenë se normalizimi politik duket shumë larg.

“Serbia nuk do të jetë e interesuar të dorëzojë pretendimet e saj për sovranitet në Kosovë derisa lufta në Ukrainë t’i japë fund aneksimeve ruse atje. Kosova nuk do të jetë e interesuar për formimin e Asociacionit derisa të ketë besim se Serbia pranon sovranitetin dhe integritetin e saj territorial. Por si Beogradi ashtu edhe Prishtina mund të mirëpresin zbutje përmes kufijve të tyre të ndërsjellë dhe duke mundësuar më shumë tregti të ligjshme”- ka deklaruar Daniel Serwer.

 

 

Advertisement