Connect with us

Politike

Berisha bën zbulimin e çuditshëm falë Inteligjencës Artificiale

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, duket se ka përdorur Inteligjencën Artificiale për disa kërkime dhe ka zbuluar disa rezultate të çuditshme, ku sipas tij, janë bërë 150 emisione për përcaktimin e tij si non grata nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe nga ana tjetër, asnjë për tre rezoluta në favor të PD-së nga parti simotra të demokratëve në botë.

Këto rezoluta, janë me rëndësi për Berishën, pasi ato e përcaktojnë arrestimin e tij me urdhër të Prokurorisë së Posaçme si persekutim politik.

Por, në fjalët e Berishës, asnjë nuk duket të jetë marrë me to.

Këtë zbulim ia ka bërë Inteligjenca Artificiale falë kërkimeve të avancuara.

“Sot po kërkoja në një nga botët e inteligjencës artificiale. Çfarë gjeta dhe thashë ta ndaj me ju. Gjeta që këto media i kishin kushtuar 150 emisione dhe segmente emisionesh shpalljes non grata të Sali Berishës, por nuk i kishin kushtuar asnjë emision 3 rezolutave të cilat nuk ekzistojnë për asnjë shtet tjetër në Evropë, si për shtetin shqiptar dhe Shqipërinë”.

Këtë e artikuloi kreu i demokratëve, gjatë një takimi me degën numër 5 në Tiranë.

Pavarësisht kësaj, ai e përmendi tre rezolutat si “të fuqishme në rrafshin ndërkombëtar”, madje, “më të fuqishmet që Shqipëria ka parë ndonjëherë të miratuara”.

“Ju e bëtë këtë me sakrifica të mëdha, në protesta të përnatshme dhe të përjavshme. Në kushtet e një censure ndër më të plotat që mund të jetë vendosur në ndonjë vend”, shtoi ndër të tjera ai, duke falënderuar mbështetësit.

Advertisement