Politike
Berisha: Do të ndalohet me ligj veprimtaria e fondacionit Soros në Shqipëri!
![](https://ntv.al/wp-content/uploads/2024/11/berisha-50.jpg)
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, ka deklaruar këtë të mërkurë se kur PD të vijë në pushtet do të ndalojë me ligj veprimtarinë e fondacionit të George Sorosit në Shqipëri.
Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Berisha u shpreh se veprimatria e fondacionit Soros sipas tij përbën rrezik kombëtar. Berisha shtoi gjithashtu se do të ndalohet me ligj bashkëpunimi i organeve shtetërore, administratës me organizatat të Sorosit.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Kanë ikur 45 përqind e shqiptarëve.
Po ta përfytyrosh Shqipërinë nuk mund të mos përfytyrosh një gropë të tmerrshme, të brendshme në trupin e saj, 45 për qind.
Ndaj dhe sigurisht ndryshimi i madh është një faktor shumë pozitiv, por ne na duhet një fitore e thellë dhe vendimtare.
Detyrat janë të mëdha dhe të vështira. Mos harroni se, siç ishte dekomunistizimi në vitet 1990-92, i një rëndësie po kaq jetike është desorosizimi i Shqipërisë dhe kjo bëhet me një front të gjerë të shqiptarëve të bashkuar rreth vlerave të lirisë, të familjes dhe patriotizmit, atdheut të tyre.
Ne duhet të jemi në lartësinë e kërkesave të kohës.
Një ligj siç ishte ligji që u bë për dekomunistizimin do të bëhet dhe për desorosizimin.
Do të ndalohet veprimtaria e fondacionit Soros në Shqipëri si një rrezik i vërtetë kombëtar.
Me ligj do të ndalohet bashkëpunimi i organeve shtetërore, administratës me organizata sorosiane.
Me ligj do të garantohet se kurrë qoftë edhe në referendum nuk do të mundet kush kurrë se do të luhet me familjen, me prindin, me gjininë përveç atyre që ka përcaktuar Zoti dhe natyra.
Ndaj dhe është e domosdoshme të shumëfishojmë energjitë, forcat për një bashkim të madh dhe të fuqishëm me të gjitha forcat politike që ndihen të përgjegjshme para qytetarëve shqiptarë.
Me të gjitha grupet, shtresat të bashkohemi rreth një programi të mrekullueshëm, rreth një programi që do të transformojë Shqipërinë. Unë i garantoj shqiptarët se ne kemi një program transformativ,
Ne kemi një program të transformimit të shpejtë.
Ne kemi një program në të cilin qytetari i të gjitha moshave dhe shtresave do të gjejë veten e tij, i përfillur dhe i mbështetur.
Një program që ka si qëllim absolut mëkëmbjen e qytetarëve shqiptarë të cilët sot jetojnë në varfërinë më të madhe në Europë dhe kanë vendin më të pasur në Europë.
Por pasuritë ua plaçkisin, u shndërrohen në garderoba 1 milionëshe të zyrtarëve, si bashkëshortja e Asadit.
Imagjinoni ju po të hapet gardëroba e Surrelit sa mund të jetë ajo, se këta bëjnë garë.
![](https://ntv.al/wp-content/uploads/2022/08/LogoWeb.2-e1644580268739.png)
![](https://ntv.al/wp-content/uploads/2023/12/OledroHot.gif)