Connect with us

Politike

Sali Berisha: Gjyq publik Edi Ramës

Sali Berisha nuk ndal akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama. Edhe ditën e sotme është ndalur tek inceneratorët duke thënë se afera 420 milionë euro tregon se bëhet fjalë për korrupsion, procedura prokurimesh antiligjore, falsifikime dokumentesh, larje parash, tjetërsime pronash. Sipas Berishës, për këtë nuk është bërë asnjë arrestim apo shpallje në kërkim. Ish kryeministri fton shqiptarët që t’i bëjnë gjyqin publik Edi Ramës dhe personave të përfshirë në këtë aferë. Në deklaratën për mediat tha se SPAK, të cilit i referohet me ironi si ‘SKAP i partisë’, ka të gjithë autoritetin ligjor jo vetëm të konfiskojë pronën e krimit, jo vetëm të vendosë para ligjit pronarët e saj qeveritarë, por edhe ata qeveritarë që nuk ushtrojnë kontrollin administrativ mbi këtë ndërmarrje.

“Kjo aferë kriminale është e vetmja në Europë dhe në botë, mbi të cilën kanë rënduar akuza të tilla dhe janë shpallur në kërkim menaxherë dhe pronarë të saj, ajo vazhdon njëlloj sikundër asgjë nuk ka ndodhur, sikundër asgjë nuk është konstatuar, sikundër asnjë mandat arresti apo shpallje në kërkim nuk është lëshuar, sikundër askush nuk është burgosur në këtë aferë. Ftoj çdo shqiptar të shtrojë pyetjen: si mundet pas të gjithë këtyre akuzave, pas shpalljes në kërkim të pseudopronarëve të kompanive të djegësave, qeveria e Edi Ramës dhe Ministria e Financave, të disbursojë gjer sot, rreth 100 milionë euro. Të vazhdojë të disbursojë plotësisht të gjithë shumën e parashikuar për djegësin e Fierit. Mbi 6 milionë euro. Të gjithë shumën e parashikuar për djegësin e Tiranës. Të ndërtojë, të urdhërojë OSHEE-në të ndërtojë, linjën e tensionit të lartë për djegësin e Tiranës, me një shumë prej 6 milionë eurosh. Si mund të ndodhin këto? Këto ndodhin, kjo aferë kriminale vazhdon jetën e saj për faktin e vetëm se kjo është aferë e Edi Ramës. Është Edi Rama që në kundërshtim flagrant me ligjet e vendit, në kundërshtim flagrant me opinionin ligjor të Entit Kombëtar të Prokurimeve Publike, që thotë se negociata e mbyllur është e ndaluar të përdoret, ka firmosur kontratën me negociata të mbyllura. Është Edi Rama ai që ka pranuar, që të gjitha prokurimet për djegësat nga Elbasani, Tirana dhe Fieri, të bëhen vetëm nga një kompani, kompania e tyre. Ndaj dhe nëse gjer më sot, pagesat e prapambetura për kompanitë e tjera shqiptare që kanë bërë punime dhe nuk kanë marrë shumën që u takon, kanë kaluar në 120 milionë euro për vitin, kompania e Edi Ramës ka marrë rreth 40 milionë euro gjatë këtij viti, pa kryer asnjë punim. Kjo vetëm për faktin se është kompani e qeveritarëve. Në këto kushte, SKAP-i i partisë po përdoret si një instrument për hetime fake, për të mbuluar vazhdimin e krimit monstruoz. Prandaj jam këtu për të dënuar edhe njëherë këtë organizatë kriminale qeveritare dhe qëndrimin e SKAP që u shërben atyre si mburojë. Për t’u bërë thirrje qytetarëve me thirrjet e Frontit për Shpëtimin e Shqipërisë, për t’i bërë gjyqin publik kësaj organizate kriminale më të rrezikshme në Shqipëri, ndër më kriminalet në Europë dhe botë. Është koha, të dashur qytetarë, t’i bëjmë gjyqit publik Ramës. ”, tha Berisha.

Advertisement