Shkrime
Berisha kundër SPAK – Akti përmbyllës, përpara zgjedhjeve të përgjithshme
Një skenar i ri, me një kryetar opozite, i cili fotografohet dy herë në muaj teksa raporton vendodhjen e tij pranë Prokurorisë së Posaçme SPAK, apo një fytyrë e vjetër e një loje politike që përpiqet ta viktimizojë atë, duke e lënë në arrest shtëpie?
Sali Berisha do të duhet të marrë një nga këto dy rrugë dhe duke iu referuar retorikës që ka shfaqur në ditët e fundit, që pas vendimit të Apelit të Posaçëm për t’i vendosur masën e detyrimit të paraqitjes, për shkak të hetimeve për akuzat për korrupsion në dosjen e njohur si “Partizani”, ai do të zgjedhë skenarin e vjetër.
Berisha qëndroi jo pak, por 333 ditë në arrest shtëpie, prej 30 dhjetorit 2023, deri më 27 nëntor 2024. Beteja e tij u zhvillua nga ballkoni i shtëpisë, me fjalime të përnatshme dhe me një rezistencë të përbërë nga grupi i tij më i ngushtë i mbështetësve.
E njëjta mund të përsëritet në ambientet e Prokurorisë së Posaçme SPAK, kur më 9.30, Berisha ka thirrur strukturat demokrate për një protestë kundër vendimit të detyrimit të paraqitjes ndaj tij.
Prej kësaj, mund të hamendësohet se një firmë në fletën e marrjes në dijeni se ai duhet të raportojë dy herë në muaj në SPAK, do të mungojë.
Në një njoftim që i ka shkuar strukturave demokrate, Berisha thërret mbështetësit që të hënën, në orën 09:30, të mobilizohen për të protestuar përpara SPAK, duke e etiketuar madje në mesazh si “SKAP”, një metaforë denigruese e përdorur nga kryedemokrati për Prokurorinë e Posaçme.
Sipas mesazhit, protesta do të zhvillohet “në mbështetje të së drejtës, të ligjit dhe të vërtetës, që është nga ana e Berishës”.
Mirëpo edhe në këtë, Berisha ka pasur standarde të dyfishta…
SPAK apo SKAP?
Berishizmi nuk e ka lënë ndonjëherë spektrin politik shqiptar dhe ai shfaqet në përditshmëri, edhe në detajet më të vogla.
Fjala bie, rastet e fundit me Prokurorinë e Posaçme kanë qenë të qarta, mbi qëndrueshmërinë e Berishës.
Ai e mbështeti afërmendsh vendimin për ta liruar nga arresti i shtëpisë. Kjo, edhe pas marrjes së çështjes së tij në shqyrtim nga Gjykata e Strasbourg-ut si një dosje “me rëndësi të veçantë”. Madje, Berisha ishte ai, i cili gjeti çastin menjëherë pas lirimit edhe gjyqtaren Fjorela Davidhi, e cila e shqyrtoi çështjen e tij dhe firmosi lirimin.
Ky vlerësim ndërkaq, u bë një sulm i ashpër ndaj Engert Pëllumbit, një tjetër gjyqtari të GJKKO-së, i cili në Apel vendosi për rikthimin e masës detyrim paraqitje me kërkesë të SPAK.
Pëllumbi është një gjyqtar, i cili në rezymenë e tij me punën në GJKKO, ka edhe dënimin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Pavarësisht kësaj, Berisha, në një lëvizje “old fashion” të stilit të tij, Pëllumbin, ndryshe nga Davidhi, nuk e rreshtoi në kahun e institucionit që është SPAK-u, por në kahun e SKAP-it, pagëzuar kështu nga ai në tone antagoniste.
Por nuk duhet marrë si një sulm i izoluar vetëm për gjyqtarin e spikatur në çështje të tilla, sa një mesazh për gjithë hetuesit e gjykatësit që dalin kundër vullnetit të tij politik, në një stil thuajse trump-it, ku Berisha tregohet agresiv në tonalitetin dhe artikulimin e akuzave, nga drejtuesi i organit të lartë, Altin Dumani, e deri te prokurorët e gjyqtarët që po hetojnë e po vendosin kundër njerëzve të tij.
Zgjedhja e detyrueshme
Skenari i parë është ai ku Berisha pranon masën e vendosur të detyrimit të paraqitjes. Në aspektin politik, kjo do të ishte një lëvizje më e zgjuar në termat e afrimit të fushatës zgjedhore, pasi do t’i jepte mundësi Berishës të ishte pranë qytetarëve dhe të arrinte të bindte më shumë njerëz për të votuar për Partinë Demokratike.
Nga ana tjetër megjithatë, do t’i hiqte një kauzë personale, siç është lufta e hapur që ai ka me një drejtësi, të cilën personalisht Berisha e etiketon si “të kapur”.
Ai arrestin e shtëpisë të vendosur ndaj tij e ktheu në një kauzë politike dhe për thuajse një vit vendosi të zhvillonte gjithë fushatën e tij rreth kësaj ngjarjeje. Edhe protestat e vakëta që opozita zhvilloi, ishin nën moton e lirimit të Berishës dhe jo në adresimin e problematikave reale që vendi ka, pas tre qeverisjeve të Edi Ramës.
Duhet të matet mirë mbi çfarë do të zgjedhë…
Symbyllazi
Nëse bëhet fjalë për militantë, emri i parë që vjen ndërmend është ai i Flamur Nokës.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike në fakt, ka kryer përgatitjet e fundit përpara protestës ndaj SPAK.
“Nesër, në orën 09:30, le të jemi të gjithë së bashku përpara selisë së SPAK, për të protestuar kundër akteve përndjekëse që kjo vegël në duart e Ramës po bën ndaj kundërshtarëve të tij politikë”, shkroi Noka në media sociale pasditen e 5 janarit.
Ai po ashtu është marrë me mobilizimin e strukturave për këtë protestë dhe në mos incidente, një grup i irrituar njerëzish minimalisht (sado i vogël) duhet pritur përpara Prokurorisë së Posaçme.
Gjithçka mbetet për tu parë. Albanian Post