Politike
Berisha mesazh Ramës para protestës: Prite popullin se po vjen!
Edhe pak orë na ndajnë nga protesta e opozitës. Kryedemokrati Sali Berisha, në vend që të dërgonte një mesazh për demokratët që do dalin sot në protestë, i është drejtuar kryeministrit Edi Rama. Duke risjellë një video të tij nga fjalimi i djeshëm, Berisha paralajmëron një revoltë të qytetarëve sot para Kryeministrisë.
“Prite popullin opozitar. Prite se po vjen. Se marshi i tij nuk ndalet kurrë. Se revolta e tij nuk shuhet kurrë. Se fitorja është fati ynë. Qytetarët do të nisin revoltën e tyre kundër kusarvë që i kanë kujtuar demokratëve se janë qytetarë të dorës së tretë. Iku ajo kohë tashmë. Ato ditë kanë perënduar Edi Rama. Është radhë jonë,“-thotë Berisha në videon e ripostuar nga fjalimi i djeshëm.
VIDEOJA E BERISHËS:
Protesta e opozitës vjen pas dënimit me 1 vit burg të deputetit Ervin Salianji, i cili u dënua për shkak të çështjes “Babale”. Si shenjë proteste, opozita nisi dy aksione të mëparshme, ku shkaktuan dhunë dhe kaos në Kuvend. Deputetët dogjën karriget në oborrin e Parlamentit më 30 shtator dhe për këtë arsye ata u përjashtuan nga Sekretariati i Etikës deri më 60 ditë. Ndërsa, në seancën e së enjtes më 3 tetor ata nuk u lejuan të futeshin në Kuvend nga garda, dhe deputetët e opozitës bllokuan hyrjet e Kuvendit për të penguar kolegët e tyre socialist të merrnin pjesë në seancën parlamentare. Për shkak të rrëmujës që u zhvillua jashtë, seanca parlamentare zgjati vetëm 30 minuta, ndërsa deputetët që u penguan të futeshin dogjën në oborr 4 manekinë dhe deklaruan se nuk do të ketë më normalitet.