Connect with us

Politike

Berisha mund të vizitojë SHBA-në? Reagon PD: E drejta vonoi, por u kthye në vend

Partia Demokratike ka ardhur me një reagim zyrtar lidhur me lajmet e publikuara së fundmi sa i përket “dritës jeshile” të dhënë ndaj ish-kryeministrit, Sali Berisha për të udhëtuar drejt Amerikës.

Demokratët vlerësojnë dhe përshëndesin qëndrimin e Departamentit të Shtetit, duke theksuar se kjo betejë nuk ka qenë për lirinë e liderit të tyre, Sali Berishës, por për të drejtat e shqiptarëve që opozitën sipas tyre mos ta emërojë pushteti.

DEKLARATE E PARTISE DEMOKRATIKE TE SHQIPERISE:

“Përshëndesim qëndrimin e Departamentit të Shtetit. Nuk ka qenë liria e Sali Berishës për të udhëtuar, por beteja e tij dhe demokratëve që opozitën të mos e emërojë pushteti.”

Partia Demokratike vlerëson dhe përshëndet qëndrimin e Departamentit të Shtetit, të bërë publik nga media amerikane, si të drejtë dhe kthim të legalitetit, të marrë peng nga administrata Biden me lobimin e George Soros dhe Edi Ramës.

E drejta ka vonuar, por është vënë në vend, falë administratës së Presidentit Trump, fitorja e të cilit i ka shërbyer botës së lirë, me mesazhin e fortë dhe të drejtë, që u përsërit edhe në fjalën e zv. Presidentit Vance në Mynih.

Partia Demokratike, në emër të kryetarit të saj, Sali Berisha, të 26 partive të koalicionit, dhe të demokratëve, që mbajtën barrën e qëndresës, falenderon Departamentin e Shtetit për qëndrimin e drejte dhe parimor!

Nuk është liria për të udhëtuar e Sali Berishës, që është penguar këto vite, por është liria e popullit shqiptar për të zgjedhur udhëheqësit e vet, dhe për të pasur një opozitë që nuk e emëron pushteti.

Amerika nuk është e panjohur me këtë skenar, siç e ka dëshmuar katër vitet e fundit në gjuetinë e shtrigave kundër Presidentit Trump.

Sekretari i Shtetit, Republikani James Baker, e pat thënë, në Sheshin “Skënderbej”, 34 vite më pare: “liria funksionon”.

Ajo funksionoi edhe sot”, njofton PD.

  • Çfarë shkruan gazetari amerikan?

Gazetari amerikan i “Politico”, Marc Caputo ka njoftuar përmes një njoftimin në llogarinë e tij në platformën “X” se Departamenti Amerikan i Shtetit ka lejuar Sali Berishën të udhëtojë për në SHBA.

“E pyeta Departamentin e Shtetit për statusin e vizës së Berishës dhe më thanë se ai mund të vijë në SHBA” – shkruan gazetari që publikon edhe përgjigjen e DASH.

“Ne japim rregullisht përjashtime për të lehtësuar udhëtimin e individëve të caktuar në SHBA, në përputhje me detyrimet ndërkombëtare dhe interesat tona kombëtare. Si e tillë, ne nuk do të lejojmë që interesat tona të politikës së jashtme apo marrëdhëniet me Shqipërinë të mbahen peng nga vendime të politizuara të epokës së Biden-it” – thuhet në reagimin e Departamentit Amerikan të Shtetit dërguar për gazetarin.

Advertisement