Politike
Berisha: Në 9 vite janë mbyllur 760 shkolla
Kryedemokrati Sali Berisha ka bërë një bilanc përsa i përket ecurisë së arsimit në vendin tonë. Në një takim me mësuesit me rastin e 7 marsit, Berisha tha se 9 vite më parë, mësuesit kishin pagat më të larta në rajon, ndryshe nga sot. Kreu i PD-së tha gjithashtu se kur PD-ja ishte në pushtet, kishte internet në çdo shkollë dhe se janë bërë përpjekje të mëdha për modernizimin e mësimdhënies.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Kjo qeveri ka kryer një gjenocid të vërtetë ndaj shqiptarëve me krijimin e kushteve për shpopullimin e vendit. Janë mbyllur 760 shkolla, është reduktuar në mënyrë të frikshme numri i mësuesve. Mësuesit shqiptarë sot paguhen dy herë më pak se mësuesit në Kosovë, Mal të Zi dhe se mësuesit në çdo vend të rajonit. 9 vite më parë ata kishin pagat më të larta në rajon. U bë një përpjekje e madhe për të ngritur një infrastrukturë moderne arsimore. U ndërtuan në një hark kohor 8-vjeçar mbi 1300 shkolla, kopshte dhe institucione të tjera të arsimit. U shtri interneti në çdo shkollë, u bënë përpjeke të mëdha për modernizimin e mësimdhënies. Shqipëria pati ngjitje vertikale në sistemin e Pizas. Sigurisht që ishte larg pozicionit që do të donim, por ngjitja ishte vertikale dhe kjo ishte meritë e mësuesve tanë. Universitetet u shndërruan në universitete të dyerve të hapura për fëmijët e shqiptarëve.