Politike
Berisha në krah të Belerit, sulme e ofendime ndaj Dumanit: Horr, faqezi, zagar
“Horr, faqezi, zagar”, këto ofendime kryetari i PD Sali Berisha ia drejtoi kreut të SPAK Altin Dumanit, gjatë fjalës së mbajtur nga dritarja e shtëpisë së tij në tubimin qytetar.
Me këtë sulm Berisha duket se i doli në krah Fredi Belerit, i cili ndodhet në burg, i dënuar me vendim të formës së prerë nga gjykata për korrupsion në zgjedhje, pasi sipas tij një gjykatëse me integritet ka urdhëruar Dumanin të hetojë procesin e mbledhjes së të dhënave për Belerin, por kreu i SPAK nuk e ka nisur hetimin.
Ky hetim, siç thotë ish-kryeministri rrëzon piramidën e mashtrimit të ngritur ndaj tij dhe se Dumani nuk i kryen këto hetime, me urdhër të kryeministrit Rama.
“Këto ditë mediat publikuan të dhëna se në muajin prill, një gjykatëse e përgjegjshme para ligjit dhe me integritet ka urdhëruar Dumanin e partisë, këtë faqezi që nuk ka ligj dhe as kushtetutë, të hetojë të gjithë procesin e mbledhjes së të dhënave për Belerin, hetim i cili rrëzon nga maja në themel, piramidën e mashtrimit të ngritur ndaj tij. Me urdhër të Edi Ramës, Dumani nuk zbaton urdhrin e gjykatësit, sillet si bandit, si horr që nuk ka ligj e moral”, thotë Berisha.
“Po natyrisht çfarë mund të presë njeriu nga një njeri që qëndron në post, në kundërshtim me kushtetutën, që nuk ka votat sipas përcaktimit të kushtetutës për të marrë atë post. Por e merr si kukull, si marionetë e shpërfytyruar e të tjerëve, e mafias, e mafias shqiptare ndërkombëtare”, tha më tej kreu i PD.