Politike
Berisha nga Strasburgu: Deputetët e grupeve parlamentare të KE do vijnë për të vëzhguar zgjedhjet

Kreu i PD-së, Sali Berisha ka konfirmuar se deputetë të ndryshëm evropianë do të vijnë në Shqipëri dhe do të vëzhgojnë zgjedhjet e 11 majit.
Kjo, pas takimit me grupin konservator të KE-së, ku u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.
“Qëllimi kryesor ishte të zgjoja vëmendjen e madhe që duhet të tregojnë për zgjedhjet dhe mora garanci të plotë se, përfaqësuesit e këtyre grupeve do të jetë të pranishëm dhe me interesin më të madh për vëzhgimin më të hollësishëm të zgjedhjeve të ardhshme”.
Më tej kryedemokrati shtoi se “mendoj se ekspozeja dhe paraqitja e situatës, e një Shqipërie që në 30 vjetorin e anëtarësimit të saj në Këshillin e Evropës është kthyer në një narkoshtet që përbën rrezik jo vetëm për qytetarët e vet, por për rajonin dhe Evropën”.
“Kishte një rëndësi shumë të madhe për vendin, kishte një rëndësi shumë të madhe për të ardhmen e Shqipërisë”, tha Berisha.
“E thashë dhe në takimin e fundit, janë përpjekur shumë ta izolojnë PD-në dhe të mbulojnë të gjithë këtë veprimtari të Edi Ramës. Por tani kjo ka marrë fund. Gjërat po dalin në dritën e diellit dhe po kuptohet shumë mirë se ç’përfaqëson regjimi i Tiranës”.

