Politike
Berisha non-grata/ Meta: I thash Kim se kjo është vepër e Ramës
Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka zbardhur bisedën e zhvilluar me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim. Në një konferencë me gazetarët, Meta tha se në takimin me Kim që u zhvillua në zyrat e PL-së ishte biseduar edhe për shpalljen non-grata të kryedemokratit Sali Berisha. Kreu i PL-së tha se ambasadores Kim ia kishte bërë të qartë se kjo ishte një vepër e kryeministrit Edi Rama dhe e ish-kryedemokratit Lulzim Basha, por që kishte sjellë një efekv pozitiv për demokratët në Shqipëri, referuar mbështetjes që ka Berisha. Për këtë të fundit, Meta tha se i ka kërkuar Kim që ta informojë Uashingtonin zyrtar.
Nuk mund të them se cilat ishin mesazhet e ambasadores sepse ata flasin vetë kur kanë diçka për të thënë. Mund tu them se çfarë i thashë unë zonjës ambasadore. Unë atë që them në takime të mbyllura e them edhe në takime të hapura. Thashë mendimin tim për çështjen e shpalljes non-grata të zotit Berisha, dhe që kjo është vepër e Bashës dhe Ramës në bashkëpunim. Të gjitha vendimet që ka marrë Basha për bojkotin e reformës në drejtësi, çështja e djegies së mandateve, çështja e faljes së të gjithë pushtetit vendor dhe mosregjistrimin në 13 tetor të PD-së, të gjitha këto vendime ia ka faturuar zotit Berisha dhe ky është një akt i SHBA-ve që nuk kemi pse ta diskutojmë. Njëkohësisht i thashë që të shkojë dhe të tregojë në Uashington që unë personalisht e vlerësoj efektin pozitiv të këtij vendimi që nuk kam qenë dakort, se pa një vendim të tillë do të kishim sërish Bashën kryetar të PD-së. Ky është realiteti,”- tha Meta.