Politike
Berisha nuk largohet nga PD edhe pse humbi, Alibeaj: Nuk mund të ankohet për vjedhjen e votave

Zgjedhjet përfunduan dhe pritet vetëm certifikimi i tyre nga KQZ, ku PS mori 83 mandate me gati shumicë të cilësuar, PD dhe aleatët ‘madhështorë’ siguruan një humbje historike vetëm me 50 mandate, partitë e reja morën 7 mandatet e tjera, kurse koalicioni “Djathtas për Zhvillim” me 5530 votat e tij nuk siguroi dot asnjë deputet për në Kuvend.
Deputeti aktual Enkelejd Alibeaj, i ftuar sot në ‘Studio Live’, e pranoi rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit, por tha se misioni i tij politik dhei forcës që përfaqëson do të vazhdojë, pse jo edhe në një pol të tretë nësedo të realizohet dhe do bihet dakord.
Alibeaj u shpreh se Berisha i shiti zgjedhjet me pazar te Rama duke pranuar Kodin Zgjedhor me lista të mbyllura, vetëm për shkak të interesit personal, pasi doli më i fituar, duke marrë PD-në që e kishte humbur, me ndihmën e Ramës dhe aktualisht ka 50 deputetë.
Ai analizoi se sistemi i dha 9 mandate tepër Ramës në krahasim me 53% që mori në vota, kurse Berishës i dha 3 mandate më shumë.për Alibeajn, njeriu që nuk ka moral të ankohet për zgjedhjet është Berisha dhe pretendimet e tij nuk qëndrojnë.
“Rezultatin do e pranojmë. Duhet ta pranoj dhe në veçanti ta lexoj rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit. Projekti politik do të vazhdojë për shumë e shumë arsye, ndoshta edhe rezultati ishte i tillë pasi është në nisje të tij, i sapo krijuar. Ka një rrugëtim dhe projekt të spektrit politik të djathtë, ky ishte vetëm stacioni i parë. Zoti Shehi është një nga njerëzit më të mencur të politikës shqiptare në këto 30 vite, analitik i shquar, koherent me qeveritë, por siç e tha edhe ai koha, interesat kanë ndryshuar, por edhe mekanizmat se si bëhet fushata”, tha kreu i ‘Djathtas 1912’.
Ligjvënësi shpjegon se bëri të gjitha përpjekjet para zgjedhjeve për një koalicion më të gjerë të forcave opozitare, por nuk u finalizua për fat të keq.
“Nuk kemi asnjëlloj pendese, as unë dhe as zoti Shehaj, sepse që prej 7 muajsh kemi parashtruar një platformë bashkimi, me teza të qarta, pas çorbës së gatuar nga Berisha-Rama. Njëri për të vijuar qeverisjen dhe tjetri për interesa personale në shitjen e zgjedhjeve etj., deri te listat e mbyllura. Antidoti i kësaj situate do të ishte pikërisht bashkimi i opozitës, edhe partitë e reja. Kjo do siguronte mandate deputetësh në shumë qarqe. Ne e bëmë nismën tonë, nuk kemi pendesë, shkaqet ishin të ndryshme, tani ka kaluar. Duhej një pol i tretë për të maksimalizuar votat për më shumë mandate”, pranoi deputeti aktual i Kuvendit, që nuk do të jetë më ligjvënës mandatin e ardhshëm.
Alibeaj mendon se pavarësisht humbjes, Berisha nuk do largohet nga PD, për më tepër kur nga kjo situatë doli po aq i fituar sa Rama, edhe pse humbi zgjedhjet, sepse synimi i tij nuk ishte të fitonte pushtetin, por partinë.

