Politike
Berisha porosit drejtorët e degëve të PD-së: Tirana të ziejë, bëjeni natën ditë
Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha zhvilloi këtë mbremje një takim me kryetarët e degëve të Tiranës, ku foli rreth protestës që do të mbahet më 26 nëntor. Berisha tha se të martën Tirana është në duart e qytetarëve dhe se kryeqyteti të ziejë nga revolta.
“Kërkohet shumëfishim i mobilizimit tonë. Patë mendime se e marta është shpejt, ju them të vërtetën; e marta është vonë. Tani kushton çdo sekondë, çdo minute dhe çdo orë në betejë tonë. Ndaj dhe ditën e martë, në orën 5, Tirana në duart e qytetarëve. Çdo orë që humbasim është e pafalshme. Koha na fton për sakrifica, guxim, revoltë dhe mosbindje civile. Askush përveç nesh s’mund ta bëjë. Ne jemi shpresa e fundit. Është radha jonë. Drejtuesit e degëve të Tiranës duhet të bëni natën ditë. Tirana duhet të ziejë nga revolta. Biznesmenë, nxënës, studentë, pensionistë, që të gjithë duhet të kalojnë në mosbindje civile”, tha Berisha.
Opozita ka lajmëruar se protesta e radhës do të mbahet më datë 26 nëntor në orën 17:00. Protesta e radhës vjen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila nuk la në fuqi masën e caktuar nga Gjykata e Posaçme ndaj Berishës.