Politike
Berisha premton: Dyfishim buxheti për shëndetësinë dhe bujqësinë

“Pogradeci është qyteti dhe rrethi në të cilin, shërbimet, arsimi, shëndetësia janë në degradim të plotë.
Pogradeci është qyteti në të cilin njëlloj si në gjithë Shqipërinë, çmimet u rritën në mënyrë të pamëshirë, kurse rrogat dhe pensionet nuk i ndoqën ato.
Pra miq, nuk mund të jetë Pogradeci Madhështor si Pogradec që braktiset, si Pogradec i njerëzve që vuajnë nga varfëria dhe skamja, i fëmijëve që nuk ushqehen, i sëmundjeve që nuk mjekohen.
Prandaj jam sot para jush për të paraqitur para çdo qytetari të këtij qyteti, çdo banori të këtij rrethi, projektin tonë me të cilin ne rikthejmë madhështinë qytetarëve të këtij qyteti.
Projekti me të cilin ne, zhdukim brenda 100 varfërinë ekstreme dhe mjerimin nga Pogradeci.
Vendosim minimumin jetik 200 euro, për çdo pensionist me pension të plotë apo të pjesshëm që merr, ndën 200 euro.
Dhe këta janë mbi 560 mijë burra dhe gra. Vendosim minimumin jetik për të gjithë shqiptarët në ndihmë ekonomike, për të gjithë ata që nuk kanë marrë kurrë në jetën e tyre pension, për të gjithë shqiptarët e papunë, për të gjithë studentët me bursë, për të gjithë fëmijët e familjeve me një prind.
Pra në radhë të parë, ne me zemër në dorë ju kthejmë paratë shqiptarëve. Vendosim rrogën minimale 500 euro.
Vendosim kartën e konsumatorit me të cilën, çdo rrogëultë, çdo pensionist, çdo qytetar me minimumin jetik, do të marrë ushqimet dhe gjërat bazë, me çmim 20% më lirë se qytetarët e tjerë.
Vendosim listën e rimbursimit 100% të barnave, identike, një për një me listën që ka sot Republika Italiane.
Vendosim në 100 ditët e para që në Shqipëri nuk do mund të shitet kurrë, litra e naftës më shumë se +-10% e çmimit të saj në Maqedoni apo në Kosovë, pra një naftë 40% më lirë.
Vendosim mbrojtjen e plotë të prodhimeve bujqësore në sezon.
I garantoj fermerët e Pogradecit se prodhimet e tyre do të mbrohen plotësisht dhe se ata do të subvencionohen do të marrin për çdo fidan të mbjellë, për çdo kokë bagëti të mbarshtruar, për çdo njësi prodhimi 5-fishin e saj që marrin sot si subvencion. Do marrin aq sa marrin fermerët në Maqedoni, Mal të zi dhe Serbi.
Do kenë linja krediti të butë, do kenë mbulim të plotë të dëmeve nga fatkeqësitë natyrore, qoftë dhe nga mbiprodhimi. Kullimi, vaditja, mirëmbajtja dhe ruajtja e tokës, do të marrin investime të mëdha. Pra do të dyfishohet buxheti për bujqësinë, do dyfishohet buxheti për shëndetësinë, do dyfishohet buxheti për arsimin”, tha Berisha.

