Politike
Berisha prezanton kandidatin për Mirditën: T’i binden qytetarit
Ish- kryeministri Sali Berisha ka vijuar edhe sot me turin e prezantimit të kandidatëve të tij për zgjedhjet lokale të 14 majit.
Mbrëmjen e sotme Berisha ka prezantuar Arben Mëlyshin si kandidat për bashkinë Mirditë.
Në fjalën e tij Berisha u shpreh se kandidatët e tij janë kandidatët e lirisë, sepse janë zgjedhur nga demokratët.
“Në shtator 2021 u gjendëm në një situatë si asnjë forcë politike më parë. Takova demokratët kudo dhe ata kërkuan që të zgjidhnit vetë kryetarin e drejtuesit e partisë, qeveritarët vendorë, kandidatët për deputetë, po kërkonit që PD të vendoste lirinë brenda saj në piedestalin që i takon dhe ne e bëmë këtë. Sot kemi kandidatët e lirisë.
Krahasoni Mëlyshin me kandidatin e dajakut. Isha dje në Vaun e Dejës. kandidati tjetër ishte kryetari i PS e kishte marr Tom Doshi me koncesion. Dua të them se kandidatët tanë nderojnë qytetarët pavarësisht bindjeve politike.
Ju garantoj se kjo praktikë e konsoliduar do t’i bëjë ata përfaqësuesit tuaj, shërbëtorët tuaj, t’i përkushtohen qytetarit e jo kryetarit.
Këto zgjedhje janë për të zgjedhur qeveritarët vendorë, por në realitet nëse e matim votën tonë me 14 maj në raport me situatën dramatike të Shqipërisë, zgjedhjet për nga rëndësia janë më të rëndësishmet që nga ’92.
Sot jemi një komb në rrokullisje”, tha ai.