Politike
Berisha pritej të shante SPAK-un me libër shpie, por ka marrëveshje nën tavolinë me Ramën
Deputetja Flutura Açka tha se baza e Partisë Demokratike është e copëzuar. Deputetja u shpreh se tashmë njerëzit janë ndarë në skalionet e tyre dhe duket e pamundur, nuk ka një dritë jeshile, që mund të arrihet një bashkim real.
“Partia Demokratike nuk është e bashkuar, flas për bazën e PD-së. Është shumë e copëzuar. Problemi është ndarja që ka ndodhur, që të bashkosh një gjë, duhet të shkosh te burimi i ndarjes. Megjithë epizmin e rikthimit të Sali Berishës, kjo nuk dha rezultat në bazën e PD-së. Njerëzit janë çberishizuar, Berisha duhet të shohë situatën me qetësi, të bëjë kalkulime të qarta.
Shpresoj për një reformim të opozitës shqiptare, kam shpresuar që do të reformohej. Mendoj se ka një marrëveshje nën tavolinë me Edi Ramën, i cili synon të shkatërrojë opozitën. Për shkak të pazareve iu dha Edi Ramës mundësia që të shkojë në zgjedhje me 12 mandate të fituara në tavolinë dhe ky është një faj, nuk ëhstë gabim. Ata që e kanë bërë këtë faj duhet të largohen”, tha Açka
Duke folur për rikthimin e Sali Berishës, të cilit iu hoq masa e sigurisë “arrest shtëpie”, Açka tha se nuk kam qenë dakort me mënyrën se si Berisha erdhi në krye të PD dhe Gazment Bardhi në krye të Grupit Parlamentar, pasi janë në shkelje statutore, por për ata që besojnë është një lajm i mirë.
Açka tha se Berisha ne kuvend e kishte ulur retorikën, ndërsa pritej që SPAK të shahej me libër shpie. Në këtë kuadër, deputetja tha se Berisha zgjodhi të përdorte një gjuhë të moderuar. Sipas saj, pozitiv është fakti se Parlamenti nuk nisi me zhurmë.