Connect with us

Politike

Berisha: Qeveria e ka shpallur prej vitesh armik sektorin e bujqësisë

Sali Berisha pasditen e sotme ka zhvilluar takimin e projekt-buxhetit 2024 me ekspertë dhe drejtues të Departamenteve të Energjisë, Planifikimit të Territorit, Pyjeve, Peshkimit, Ujërave, Bujqësisë, Infrastrukturës-Transportit dhe Sporteve.

Në fjalën e tij Berisha u shpreh se këto janë fushat në të cila është abuzuar më shumë me paratë e taksapaguesve.

Berisha: Dua të them në krye të radhës se këto fusha janë dhe fushat e abuzimeve më të paimagjinueshme me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Ky sektor i cili ka specialistë të mrekullueshëm, të përkushtuar, të aftë, që e njohin mirë atë, kanë vendosur në krye një person, e cila flet sikur vjen nga Marsi. Flet sikur nuk ka asnjë lidhje me atë sektor apo me këtë vend, shpall shifra dhe përqindje që turpërojnë çdo njeri dhe në fakt me të gjitha mbulon një mashtrim të madh, ndaj këtij sektori jashtëzakonisht të rëndësishëm.

Berisha akuzon qeverisë se e ka shpallur armik prej vitesh sektorin e bujqësisë dhe Shqipërisë rurale.

Berisha: Po të studioni sistemin fiskal, nuk e gjen mbi tokë një sistem të tillë ndëshkues për prodhuesin siç është sistemi aktual.

Duke akuzuar ministren e re të Bujqësisë, Anila Denaj, Berisha thotë se ministrja flet për shifra false.

Berisha: Por po të dëgjosh ministren e re që thotë, se Shqipëria është me 6 mln lopë, tani e kuptoni vetë ju se ca lidhje ka kjo me fshatin dhe Shqipërinë. Ky pohim i saj është skandaloz dhe lexohet në çdo paragraf të buxhetit që kanë paraqitur për fermerët. Në të gjithë statistikën e përqindjeve në tërësi nuk ndalet në vitin 2024, por flitet për vitin 2025-2026, mbasi gjithçka është falsitet dhe duhet të rreshtojnë përqindje, shifra se si e ti të mbulojnë injorimin e plotë të këtij sektori të një rëndësie shumë të madhe, për jetën e 40% të popullatës, por edhe për ekonominë e vendit në tërësi.

Në fund Berisha tha se i gjithë qëndrimi i qeverisë aktuale ndaj këtij sektori përbën një piramidë të vërtetë mashtrimesh dhe falsifikimesh dhe në fund reduktohet në një shifër dhjetëra milionë euro, e cila në shumicë përfundon në xhepat e qeveritarëve hajdutë.

Advertisement