Connect with us

Politike

Berisha shëtit me gurin e SPAK-ut në qafë, opozita e tij: Rama aman ik nga pushteti

Dy partitë e mëdha janë modeli i së shkuarës dhe vijnë në rënien që do i bëjë që të mos arrijnë dot asnjëra 71 mandate deputetësh në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Më SPAK-un pas qafës, ku Berisha madje ka edhe “një gur në qafë”me dosjet penale teksa ka privatizuar PD, bashkë me Ramën do e kenë të vështirë që të fitojnë shumicën, por do përpiqen të sigurojnë me çdo mënyrë dhe mundësi votat për të goditur SPAK-un, ashtu edhe siç është deklaruar kohët e fundit, duke bashkuar votat në Parlamentin e ardhshëm.

Kështu u shpreh deputeti dhe themeluesi i ‘Djathtas 1912’, Enkelejd Alibeaj. Për opozitën ai tha se “Rama është strateg dhe nuk hiqet nga pushteti duke thënë ‘Rama ik’ apo ‘aman ik”.

“Përgatitjet janë drejt fundit, më 11 fillon edhe fushata elektorale. Programi, organizimi, kandidatët dhe strukturat janë gati. Pak vonë, siç e konstatuat ju edhe për shkak të koalicioneve, por ‘dita e gjykimit’ erdhi. Ka vështirësi në fakt, sidomos ato financiare. Është e qartë, fushatat në Shqipëri janë të shtrenjta. Financat që kërkohen në proceset zgjedhore janë të mëdhaja. Që nga kancelaritë, administrata, raporti me mediat dhe të tjera. Këtë fushate e organizojmë me shpenzimet tona. Sipas Kodit Zgjedhor financime marrin partitë me deputetë në parlament, ne nuk kemi marrë, por s’jemi duke qarë. E shoh si një test, nëse bëhet fushatë në politikë me kosto minimale. Për të mos folur për vështirësitë e tjera, si mungesa e njerëzve në komisionet e qendrave të votimit apo dhe numërimit”, tha Alibeaj.

Por ai shtoi se tani modeli i vjetër i duopolit po shembet dhe ngjarjet e ndodhura këto kohë, me forcimin dhe goditjet e SPAK e kanë lënë të qartë edhe në lëvizjet e binomit Rama-Berisha.

“Ajo që konstatoj është se ka një lloj neverie ndër shqiptartë për partitë e vjetra, që nga PS-ja me një qeverisja e gjatë e keqe dhe tjetra, PD-ja, vëllai siamez i socialistëve. Ka pakënaqësi dhe skandalet ku është përfshirë qeveria. Ka refuzim të shqiptarëve ndaj alternativave të vjetra. Mirëpresin alternativat e reja, që s’kanë probleme me drejtësinë. Me interes dhe pozitive impakti që ka dhënë SPAK-u. Fakti që shumë zyrtarë të qeverisë shkojnë dhe frekuentojnë shpesh SPAK-un, ka dhënë koshiencë tjetër te shqiptarët dhe publiku dhe kanë krijuar konceptin se s’ka më njerëz mbi ligjin. Moment elektoral i rëndësishëm, do jetë epokë politike. E shoh me optimizëm. Nuk i referohem sondazheve, por ka pakënaqësi të madhe ndaj modeleve të vjetra të pazarit dhe marrëveshjeve, por kjo është një garë”, shpjegon deputeti për Report Tv.

Ai ndau mendimin se tashmë PD është “parti private e Berishës”. Megjithatë fundi i duopolit ka mbërritur.

“Historiku i 35 viteve ka qenë duopol, kohë e gjatë. Por duopoli ka nisur të bjerë, e shoh që nga 5 vite më parë te Kodi Zgjedhor. Ka ardhur fundi duopoli ose mendësia për të mbajtur qeverisjen vetë dhe për të mos dhënë përgjegjësi. Kodi i ri elektoral e tregon edhe më mirë se ky sistem po bie. Ndaj zgjodhën listat e mbyllura, teksa ne zgjodhëm listat e hapura. Ata dy i dhanë sinjal shqiptarëve me pazarin që bënë. Ka një pjesë edhe te PD-ja parti personale dhe private e Berishës që kanë mbështetje për ne partitë e reja, sikurse edhe te PS”, vijon përfaqësuesi i koalicionit ‘Djathtas për Zhvillim’.

Por cili është mendimi i tij për rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit dhe paraqitjen e forcës që përfaqëson?

“Unë mendoj se më 11 maj, as Rama dhe as Berisha nuk do e bëjnë dot shumicën e thjeshtë. Nuk do i bëjnë dot 71 mandate. Më 2021 Rama mori 48%, më pak se gjysmën, edhe për shkak të sistemit zgjodhor, por që atëhere shumë ngjarje kanë ndodhur që e kanë goditur qeverinë. Mbështetja ndaj tij ka rënë, edhe pse duket solid. Ka zv.kryeministrin në arrati, zyrtarë e ministra në burg dhe të akuzuar. Efekti SPAK, sepse Dumani erdhi shumë vonë, pas fitores së PS të zgjedhjeve të fundit. Plus hetimi elektoral që do bëjë SPAK, ku qeveria nuk do ketë dot as patronazhistët, këto më bëjnë të besoj se nuk do e kenë shumicën të dy. Rama po bën një sjellje ballkanike në koncept, pra edhe belbëzohet kundër drejtësisë”, nënvizon Alibeaj.

Por ai shtoi se të dyja partitë e mëdha do bëjnë përpjekje që të gjejnë votat për qëllimet dhe marrëveshjet e tyre të ardhshme, siç është goditja e SPAK.

“Janë sinjalet dhe uroj të përgënjeshtrohem. Dy partitë e vjetra janë në siklet të madh dhe të njëjtë. Sepse as njëra dhe as tjetra s’do sigurojnë dot shumicën dhe objektivin maksimal, teksa me një SPAK që i qëndron mbi qafë, do përpiqen me rrugë joinstitucionale ta marrin këtë rezultat. I shoh që kanë një siklet të madh, sidomos Rama, përveç Berishës me ‘gur pas qafe’. I vetmi mendim është se të dy do bashkojnë votat siç bënë me marrëveshjet e para, e nëse e shohin se nuk e realizojnë dot numrin e votave për të goditur SPAK, do përdorin strukturat e tyre, kriminalë, blerje etj”, thotë deputeti

Advertisement