Connect with us

Politike

Berisha: Si ka fytyrë Rama të mbajë ende peng me gjykata vulën për Lul Bravën

“Mbrëmë luani u zgjua, pas një dekade e përlotur, nëna Shqipëri ka fjetur e buzëqeshur.” Kështu është shprehur kreu i PD-së Sali Berisha, teksa ka komentuar protestën masive të opozitës mbrëmjen e djeshme në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Teksa falenderoi protestuesit, Berisha u bëri thirrje efektivëve të Policisë që të mos prekin protestuesit paqësorë, pasi sipas tij, do ndahen shumë keq. Duke folur nga dritarja e banesës së tij nga protesta e sotme, Berisha tha se protestuesit mbrëmë shembën piramidën e mashtrimit të Edi Ramës dhe ja dogjën të gjitha ato miliona euro që kishte shpenzuar në luftën kundër opozitës.

Lideri demokrat shtoi më tej se si do të ketë fytyrë Edi Rama, të mbajë ende peng me gjykatat e tij vulën e PD-së për Lul Bravën, duke iu referuar Bashës.

BerishaTë dashur misionare dhe misionarë, qëndrestare dhe qëndrestarë. Mbrëmë luani u zgjua, mbrëmë pas një dekade e përlotur, nëna Shqipëri ka fjetur e buzëqeshur. Këtë buzëqeshje ia dhuruat ju. I mbaj mend ditët e para të janarit, fjalët e para të thëna këtu. Më kujtohet se jam shprehur para jush, sa herë ju shoh nga kjo dritare ndjeja se frynte era e ndryshimit. Është thuajse hyjnore të shohësh se në vetëm 50 ditë, një erë, ajo erë mbrëmë ishte kthyer në një uragan të pandalshëm ndryshimi. Me guximin tuaj, sakrificën tuaj, fjalimet tuaja të zjarrta, plotë patos, frymëzuese, ju rrugën e Shpresës e shndërruat në uraganin e Shpresës, bulevardin, Tiranën, Shqipërinë e shpresës. Prandaj dhe sonte dua të nis fjalën time me një falënderim dhe mirënjohje të pakufishme ndaj jush. Një falënderim për të gjithë ju guximtarë që në ditët më të vështira për opozitën nuk u trembët, qëndruat të palëkundur për kauzën e drejtë që ju besoni. Një falënderim për të gjithë ju, që dhe në ditët më të vështira qëndruat këtu, në çadra, pa çadra, në shi, acar, për të vrarë frikën tek shqiptarët. Një falënderim sonte nga ju atyre qindra e mijëra shqiptarëve, që mbrëmë si shqiptarë të vërtetë mbushën bulevardin e kombit në një kohë që kundra tyre ishte tentuar çdo lloj forme presioni, frike dhe intimidimi. Si shqiptarë të vërtetë ju nuk u mashtruat, nuk u frikësuat, por ju mbrëmë qëndruat dhe dhatë të qartë mesazhin për Shqipërinë dhe botën se jemi këtu, në këmbë, se jemi në misionin tonë në betejë pa kthim, për votën e lirë, dinjitetin tonë, pluralizmin, demokracinë, për veten, familjet tona, për të ardhmen e rinisë dhe Shqipërisë. Faleminderit shumë miq, mirënjohje të pakufishme të të gjithëve ju që me guximin, entuziazmin, energjinë vullkanike e bëtë më të bukur, më madhështore se kurrë, kryeqendrën e vendit, inauguruat për qytetarët shqiptarë misionin shenjtë të kthimit të votës së lirë tek shqiptarët dhe fitoren plebishitare të opozitës. Një vlerësim të veçantë kam për drejtuesit qendror dhe lokalë të PD dhe të gjithë organizatorët e uraganit që në 20 shkurt, ktheu Shqipërinë në rrugën e fitores. Për të gjithë anëtarët, simpatizantët, mbështetësit tanë që u mblodhën dje në Tiranë, se bashku me popullin opozitar dhe ndryshuan historinë. Një vlerësim të veçantë për deputetët e PD që nisën të parët betejën pa kthim në parlament dhe të mosbindjes civile dhe me një akt përgjegjësie të lartë, vendosën të bashkohen në diversitet, nën çatinë e shtëpisë së tyre, rigjallëruan gjithë familjen tonë të madhe dhe jo vetëm. Bashkimi në diversitet i deputetëve të PD, ka futur tashmë politikën dhe demokracinë shqiptare në një epokë të re, frytet e së cilës do ti shihni taman, kur ne të kthehemi në pushtet. Një mirënjohje të veçantë për të gjithë aleatët tanë opozitarë për kontributin e tyre. Bashkimi ynë është fitorja e Shqipërisë. Të dashur miq! Unë në emrin tuaj dua të ju dërgoj një përshëndetje dhe ti përqafoj të gjithë ata qëndrestarë të cilët u arrestuan barbarisht dhe u keqtrajtuan nga banditë me uniformë dhe tu them se, të gjithë ne jemi me ju dhe të paralajmëroj banditët, mos prekni protestues paqësor sepse do të ndaheni shumë keq. Mos prekni protestues paqësor se nuk mund të imagjinoni ato që do të pësoni. Mosbindja civile nuk njeh forcë dhe kufi që nuk mposht. Mos zbatoni urdhra të ministrave kriminale që mbrojnë krimet e tyre. Lironi menjëherë protestuesit paqësor.

Të dashur miq! Nata e mbrëmshme ka ndryshuar fatet e Shqipërisë. Katër arritje kryesore shënoi uragani i 20 shkurtit. E para; ju mbrëmë me uraganin tuaj shembët piramidën e mashtrimit të Edi Ramës dhe ja dogjët të gjitha ata miliona euro që kishte shpenzuar në luftën kundër opozitës. Pas natës së djeshme, Edi Rama nuk mashtron dot as njerëzit e tij më të afërt e jo më shqiptarët. Me ç’fytyrë do të ju thotë ai shqiptarëve, pas uraganit të djeshëm se opozita është e dobët, se Sali Berisha është i izoluar. Me ç’fytyrë do tu thotë Edi Rama shqiptarëve, se shqiptarët e duan, ndërkohë që ata dolën në uraganin më të madh që mbahet mend, pikërisht kundër aleancës së qelbësirave me në krye Edi Ramën. Si do të ketë fytyrë Edi Rama, të mbajë ende peng me gjykatat e tij vulën e PD-së për Lul Bravën. Çdo mashtrim në të cilin Edi Rama e bazonte luftën e tij kundër opozitës, mbrëmë është shembur dhe me shembjen e këtyre mashtrimeve ka nisur dizintegrimi i klanit kriminal të rilindjes, i sektit kriminal të rilindjes. Do ta shihni shpejt, socialistët e ndershëm do të zgjohen dhe do të kuptojnë se Edi Rama dhe rilindja ua ktheu partinë e tyre në një shpellë krimi. Miq mbajeni mend këto fjalë. Do ta shihni se si në fund, rilindja do të reduktohet në vetëm dy njerëz. Në dy njerëz, Edi Rama dhe Lulzim Brava. A e dini pse? Sepse janë të vetmit që edhe në fund besojnë në mashtrimet e tyre. Rama beson se e duan shqiptarët, ndërsa Brava beson se i takojnë fondet publike të PD-së për ti përdorur për qëllimet e tij. Arritja e dy e madhe e uraganit të 20 shkurtit, është jehon ndërkombëtare e jashtëzakonshme e tij. Vlerat e kësaj jehone janë të shumëfishta. Nga njëra anë, secili nga pjesëmarrësit, secili nga ju, është parë nga publiku i vendeve të lira, SHBA, Gjermani, Italisë, Francë, Spanjë, Japonisë, Australisë, vendeve veriore si një luftëtari i votës së lirë, i pluralizmit, i antikorrupsionit, pra si qëndrestar i kauza të drejta. Nga ana tjetër kjo jehonë paraqiti para gjithë botës Edi Ramën, si njeriu që dhunon zgjedhjet e qytetarëve shqiptarë, që arreston për motive politike, pa asnjë provë, fakt, dokument njëlloj si në Rusi dhe Teheran, Ugandë apo Tunizi, kryetarin e opozitës nga frika apo tmerri se ai kurrë nuk i fiton dot më zgjedhjet në këtë vend. Por nga ana tjetër, kjo jehonë e jashtëzakonshme e uraganit të 20 shkurtit, u faktoi qytetarëve, parlamentarëve, qeverive në mbarë botë, se Edi Rama u mohon të drejtat kushtetuese parlamentarë të opozitës, nuk lejon krijimin e komisioneve hetimore parlamentare, për të hetuar vjedhjet e tij të mëdha me djegësat, sterilizatorët, PPP-të, portin e Durrësit, parkun e Butrintit. Për të hetuar 140 udhëtimet e tij në 18 muaj me avion taksi që niset nga Rinasi jashtë çdo kontrolli dhe me të cilin thuhet se transportohen me baule diplomatike, qindra ton drogë dhe qindra milionë euro të vjedhura shqiptarëve, dhe qindra milionë narko euro të klaneve të tij narkotrafikante. Ai nuk lejon hetimin e tij sepse është i zhytur kokë e këmbë në krime monstruoze.

Bota e mori vesh se në SHBA në 16 shkurt në gjykatën e Uashingtonit u dënua me 3 vite burg, Charles McGonigal ish-shefi i kundërzbulimit të Nju Jorkut, vetëm e vetëm se ishte korruptuar nga Edi Rama. Ishte paguar me 225 mijë dollarë, ishte paguar me një licencë nafte e cila u kushtoi si gjobë shqiptarëve, rreth 20 mln euro deri më tani. Por në rast se McGonigal u dënua 3 vite burg, Edi Rama vazhdon të mbetet i lirë. Unë mund ti them këtu dhe ti çoj një mesazh atje në Surrel ku ndodhet, se uragani mbrëmë është betuar se kurrë nuk do të ketë amnistri për ty. Çfarë do manovre që të bësh, sado që të lobosh, çfarë do pendese që të firmosësh, do të gjykohesh për krimin e shëmtuar që ke kryer ndaj Shqipërisë dhe SHBA-së. Miqtë e mi! Dje shqiptarët në uraganin e tyre i bënë pretencën publike më të fuqishme Edi Ramës, për vjedhjet, skandalet e tij të shekullit, kjo pretencë jehoi në të gjithë botën. Arritja e tretë është se sot të gjithë ju mbarë shqiptarët besojnë në fitoren e PD-së. E theksova edhe dje, se momenti që fiton është momenti kur ti beson në fitore. Dhe uragani i djeshëm ishte aq vendimtar për fitoren e PD-së, aq sa ishte rrëzimi i shtatores së Enver Hoxhës për fitoren tonë të parë. Arritja e katërt dhe kjo është më e rëndësishme, nga dje kurrë nuk mund të ju thotë më njeri se jeni vetëm, se jeni pak. Të dashur miq! Të gjitha sulmet që i janë bërë opozitës në këto dy vite, kanë pasur një qëllim, kanë dashur të krijojnë tek ju ndjenjën e vetmisë. Nuk ka qenë e lehtë për ju. Keni parë të gjithë makinerinë e propagandës së Ramës, disa nga mediat me të fuqishme të vendit, diplomatë të korruptuar nga Rama që kanë dashur të ju krijojnë ndjenjën e vetmisë, të izolimit. Por miq, ju nuk jeni kurrë vetëm. Shqiptarët janë me ju, e patë ju dje dhe unë betohem se kur shqiptarët janë me ju, e gjithë bota do të jetë me ju, e gjithë bota do të ju respektojë, vlerësojë.

Advertisement