Politike
Berisha sulmon ashpër: Ai që prek flamurin e PD, i ka bërë hesapet keq
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, është treguar i ashpër me grupin e deputetëve brenda PD, të cilët drejtohen nga Enkelejd Alibeaj.
Kryedemokrati tha se ata të cilët prekin flamurin e PD, i kanë bërë hesapet shumë keq.
“Opozita nuk mund të pengohet nga asgjë për të firmosur fitoren në këto zgjedhje. Zotërinjtë, një grup deputetësh, u ftuan, ose erdhën, pa asnjë lloj paragjykimi dhe prapamendimi që të bashkohen nëse donin, të garonin për çdo post në këto bashki, të paraqisnin kandidatura, ose në përputhje me statutin të krijonin, po të duan fraksionin.
Por ata, sa janë nuk e di, por ata nuk duan as statutin as primaret dhe as fraksionin.
Të sigurtë të jeni se ai që prek flamurin e PD-së, i ka bërë hesapet shumë, shumë keq.
Kjo do të thotë që do e shikoni në ditët e ardhshme.
Nuk i preket flamuri Partisë Demokratike”, tha Berisha.
Një deklaratë e tillë vjen ndërkohë që Grupi Parlamentar i PD njoftoi sot dështimin e bisedimeve me grupin e Berishës për të dalë me një kandidat të vetëm në zgjedhjet lokale.
Kujtojmë se Grupi Parlamentar i PD-së, theksoi se tek pala tjetër prevaloi interesi i njëanshëm dhe kushti për të njohur “Statutin” e 11 Dhjetorit.