Politike
Berisha sulmon Ballën: I largohen shqiptarët, është simbol i kriminelit elektoral
Kreu i PD Sali Berisha ka mbledhur Kryesinë e PD, ku në fokus janë zgjedhjet e 11 majit.
Duke u ndalur tek vota e diasporës, Berisha u shpreh se shqiptarët që jetojnë jashtë vendit janë pro rotacionit politik në vend.
“Kjo mbledhje është thirrur për emergjencën e krijuar nga problematika e votës së 1.5 milionë shqiptarëve jashtë vendit.
Ky është një eveniment i jashtëzakonshëm, i një rëndësie shumë të madhe në historinë elektorale, por historia elektorale është historia e demokracisë, thelbi i demokracisë.
Ky proces siç edhe pritej nuk mund të mos ishte pa problematika.
1 milion e gjysëm shqiptarë të shpërndarë në të gjithë planetin, imagjinoni se çfarë konstituence e madhe është. Qeveria nuk pranoi të votohej me telefon, siç votojnë shumë vende, por kërkoi të votohej në e-Albania, që është portali më i manipuluar në Europë dhe botë. Një portal ku fusin duart e zeza, një mori mafiozësh vendi dhe të huaj dhe e bëjnë atë shportë që nuk jep asnjë siguri.
Dhe ne e përjashtuam këtë mundësi.
Tani si praktika e parë, natyrisht se ne kishim që në fillim modulin më të mirë të trajtimit të saj. Jo, por një gjë del shumë e qartë. Gjatë këtyre dy muajve, emigracioni dhe diaspora janë masivisht për rotacionin, janë për PD, janë kundër narkoshtetit.
Para se të vija këtu po shihja takimin e fundit të Taulant Ballës, ku nga mijëra karrige, a sa ishin aty në sallë nuk i numërova, vetëm rreshtat e parë dhe ata një pjesë të marrë nga Vlora, nga ai Dredha që është kryebashkiaku më problematik që ka pasur në historinë e tij, qyteti i Vlorës.
Ermal Dredha e Taulant Balla. Taulant Balla i largohen shqiptarët sa e dëgjojnë sepse është bërë sinonim, apo simbol i kriminelit elektoral dhe jo vetëm elektoral. I lidhjeve më obskure me drogën, larjen e pare, me vrasjet dhe aktet e tjera”, tha ai.