Politike
Berisha thirrje FBI-së dhe Kongresit amerikan: Hetoni veprimtarinë e Sorosit në Shqipëri

Kryetari i PD-së, Sali Berisha i ka bërë thirrje në konferencën për mediat, FBI-së dhe Kongresit Amerikan të hetojnë veprimintarinë e Xhorxh Sorosit në Shqipëri. Berisha shprehet se kryeministri Edi Rama dhe gruaja e tij janë pasuruar nga paratë ilegale të Sorosit.
Sipas kryedemokratit, politika e jashtme e Xhorxh Sorosit përputhet me Beogradin dhe bie ndesh me interesat e shqiptarëve.
Berisha shton se Xhorxh Sorosi meriton një gjyq ndërkombëtar për të gjithë veprimtarinë e tij në dëm të lirisë, demokracisë dhe interesave jetike të popujve në vendet në të cilat ai ka vepruar.
PJESË NGA FJALA E BERISHËS:
Unë jam sot këtu për të denoncuar para shqiptarëve të gjithë veprimtarinë antishqiptare, antidemokratike të Xhorxh Sorosit me veglën e tij Edi Rama në Shqipëri. Por theksoj se Edi Rama me ish-bashkëshorten dhe bashkëshorten aktuale, janë pasuruar me miliona e miliona nga paratë ilegale të Xhorxh Sorosit në Shqipëri.
Thirrja ime për qeverinë e SHBA dhe kongresin e SHBA, thirrja ime për FBI-në, të shtrijnë hetimet e tyre për Xhorxhin dhe të birin edhe në Shqipëri gjatë 20 viteve dhe do gjejnë se si ata përdorën çdo lloj influence kundër një force politike në favor të ekstremit të majtë të Edi Ramës, bashkëshortes së tij dhe ish-bashkëshortes së tij, të gjitha drejtuese kryesore në fondacionin Soros, të ushqyera me miliona nga ky fondacion.
Të hetojnë politikën e jashtme të Xhorxh Sorosit, e cila në mënyrë absolute përputhej me Beogradin dhe binte ndesh me interesat e shqiptarëve, me politikën e ndjekur zyrtare të SHBA gjer në atë kohë, por dhe me politikën e ndjekur nga presidenti Donald Trump në mandatin e parë.
Iu bëj thirrje që duke përdorur aktin RICO, të hetojnë çdo veprim të Xhorxh Sorosit në të ashtuquajturën reformë kushtetuese dhe të drejtësisë, me të cilën kanë garantuar sot një pushtet që kontrollon mbi 95 përqind të çdo gjëje në këtë vend. Praktikisht pothuajse një monizëm të plotë.
Ky është dekreti i presidentit, në të cilën presidenti evokon dje aktin RICO të mashtrimit, influencës mashtruese dhe korruptive me të cilën bën të mundur akuzën për organizatë kriminale të Xhorxhit, të birit dhe rrjeteve të tij.
Ndaj dhe është përdorur RICO. Tani, nuk ka netuork më flagrant se sa netuorki që u zgjodh për të drejtuar pseudo-reformën e drejtësisë në Shqipëri. I tëri i bërë nga bashkëpunëtorët e Sorosit. Njoftimi që presidenti bën për vendimin e tij, për të akuzuar Xhorxhin dhe të birin, miqtë me kokë të Edi Ramës, i cili në harkun kohor 5-vjeçar mori pjesë në martesën e të atit dhe të birit.
Le të urojmë që drejtësia e SHBA të bjerë mbi këtë monstër të njerëzimit, i cili në vende të caktuara ka krijuar drama të mëdha sa vetë luftërat me pasurimin e tij.
Unë mendoj se Xhorxh Sorosi meriton një gjyq ndërkombëtar për të gjithë veprimtarinë e tij në dëm të lirisë, demokracisë dhe interesave jetike të popujve në vendet në të cilat ai ka vepruar.

