Politike
Beteja me Ilir Alimehmetin, Tabaku: Nuk jam ndjerë mirë personalisht, jemi takuar në disa raste

Kandidatja më e votuar e PD në zgjedhjet e 11 majit, Jorida Tabaku, ka komentuar zërat që e lidhin me drejtimin e Partisë Demokratike.
Tabaku tha se nuk ka aspiruar asnjëherë dhe as nuk e ka menduar të jetë në krye të partisë më të madhe opozitare. Por, ajo theksoi se do t’i përkushtohet partisë, pavarësisht rolit që mban.
“Unë nuk e kam menduar as tani, as në të shkuarën, për të qenë në krye të Partisë Demokratike. Siç e thashë, unë garova për një vend në Parlamentin shqiptar. Do të jem aty gjithmonë për partinë dhe nuk ka rëndësi se çfarë roli kemi secili”, u shpreh ajo.
Më tej Tabaku u shpreh se edhe Alimehmeti, mjeku i njohur, meriton të jetë në Parlamentin e ardhshëm.
Ajo tha se PD do të luftojë për mandatin e tij duke kërkuar numërimin si të vlefshme të votave të vlerësuara si të pavlefshme. Në Qarkun e Tiranës janë shpallur rreth 17 mijë vota të pavlefshme.
“Kjo është forca e vërtetë e Partisë Demokratike dhe për mua sepse edhe kur kam qenë e mërzitur na ka dhënë forcë, sepse janë njerëz që nuk e dinë se çfarë do ndodhë nesër me ato, ndërkohë që unë po garoja për një pozicion, por ato jo dhe me atë shpirtin e të rezistencës dhe betejës së 12 viteve i mbante aktiv për të na mbështetur.
Kjo mbështetje erdhi sigurisht për Partinë Demokratike të cilat janë vota të djathta edhe shumica e qytetarëve vendosën që të mbështesnin mua. Nuk jam ndjerë shumë komode, sidomos ditëve të fundit të numërimit sepse gara bëhej midis meje dhe doktor Alimehmetit dhe t’i personalisht nuk ndihesh mirë.
Unë mendoj se do të jetë shumë mirë edhe prezenca e doktor Alimehmetit në Parlament dhe për Partinë Demokratike pasi ishte një figurë dhe ishte një garë e ngushtë dhe nuk kishte pse të ishte midis nesh.
Jemi takuar në disa raste, edhe me kolegët kemi ndarë mendime dhe kemi diskutuar edhe në mbledhjet e shtabit të Tiranës dhe nuk janë ndierë shumë mirë nga ana personale. Jam e lumtur që Partia Demokratike do të bëjë një betejë për votat e pavlefshme për mandatin e 14 në Tiranë.
Votat për Joridën, Ilirin dhe për këdo janë për Partinë Demokratike dhe ka disa njerëz të cilët dalin jashtë forcës së tyre politike, por unë them se funksionojë brenda partisë sepse janë besimet dhe vlerat e mia dhe nuk e konsideroj si një sukses personal por si një mirëbesim për të vazhduar për të bërë një punë edhe më të mirë.
Mund të them që nuk është një privilegj, por një përgjegjësi. Në Parlament e kam diskutuar që sa herë është diskutuar për sistemin aktual që Shqipërisë i duhet një klase politike por edhe një përfaqësues të denjë për qytetarin por ta lidhë edhe deputetin me votuesin por sistemi aktual nuk e lejon të ndodhë si gjë.
Ndoshta ne që jemi votuar në listën e hapur e kemi një përgjegjësi më të madhe, por mbështetja është e shtrirë në të gjithë qarkun e Tiranës në të cilën janë 5 bashki dhe do ta bëjë më të vështirë përfaqësimin dhe lidhjen.
Gara ishte e padrejtë pasi ishte midis nesh dhe ne duhet të kishim edhe kundërshtarin përballë dhe ndodhi, por t’i ndodhesh edhe në rrezikun që gjithmonë përpiqesh që të punosh me votat e demokratëve dhe të kesh të ngushtë rrethin e njerëzve me të cilin ti flet dhe pastaj ke edhe kolegë që kanë kontaktuar me të njëjtët grup njerëzish dhe kjo e bën sistemin më të vështirë dhe përballjen e pabarabartë“, tha Tabaku.

