Connect with us

Bota

Biden-Sunak njoftojnë partneritet ekonomik dhe mbështetje…

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden dhe kryeministri i Britanisë Rishi Sunak njoftuan të enjten një partneritet ekonomik mes dy vendeve, që përqendrohet tek tranzicioni energjitik dhe zhvillimi i teknologjive kritike dhe të reja, të cilat janë me rëndësi për interesat kombëtare të të dyja vendeve.

Pas takimit në Shtëpinë e Bardhë, dy udhëheqësit u zotuan se do të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën që vazhdon të përballet me agresionin rus.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Rishi Sunak, presidenti Joe Biden njoftoi arritjen e një marrëveshjeje që siguron udhëheqjen amerikano-britanike lidhur me teknologjitë ekzistuese kritike dhe zëvendësimin e tyre me teknologji të reja, duke përfshirë inteligjencën artificiale, sigurinë ekonomike, transformimin digjital dhe kalimin nga energjitë tradicionale në ato alternative dhe të ripërtërishme.

“Sot zhvilluam diskutime vërtet të mira mbi marrëdhëniet tona ekonomike dhe nisëm bisedimet mbi elementë dhe metale të rralla, me rëndësi strategjike dhe një marrëveshje për të trajtuar krizën klimatike”, tha Joe Biden, President i Shteteve të Bashkuara.

Kryeministri i Britanisë Rishi Sunak tha se e ashtuquajtura “Deklaratë e Atlantikut” do të zvogëlojë varësitë strategjike nga fuqitë kundërshtare.

“Vende si Kina dhe Rusia janë të gatshme të manipulojnë dhe të përdorin qasjen tonë ndaj teknologjisë, të vjedhin pronësinë tonë intelektuale, të përdorin teknologjinë për qëllime autoritare, ose të tërheqin burime kritike si energjia. Ata nuk do kenë sukses”, tha Rishi Sunak, kryeministër i Britanisë.

Në Britani, kryeministri Sunak po përballet me trysninë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse për tregti të lirë me Shtetet e Bashkuara, të cilën partia e tij e premtoi që në 2019. Por Kongresi i Shteteve të Bashkuara nuk e mbështet një marrëveshje të tillë.

“Tani Britania po përpiqet të lërë pas çështjen e marrëveshjes së tregtisë së lirë dhe po kërkon të arrijë rezultate, të sigurojë sukses për çështje që nuk kërkojnë miratimin nga Kogresi”, thotë Leslie Vinjamuri nga Instituti Catham House, SHBA.

Para takimit të nivelit të lartë të NATO-s që pritet të mbahet në Vilsnius të Lituanisë, takimi ndërmjet udhëheqësve të dy vendeve që kanë ofruar mbështejen më të lartë ushtarake ndaj Ukrainës synonte gjithashtu të sinjalizonte angazhimin për të mbështetur Ukrainën për t’u mbrojtur nga agresioni rus.

“Ne kemi të gjitha mjetet e nevojshme financiare për të mbështetur Ukrainën për aq kohë sa do të duhet”, tha Presidenti Biden.

Gjatë vizitës së tij të parë në Shtetet e Bashkuara që kur mori detyrën e kryeministrit, zoti Sunak u takua edhe me udhëheqës të Kongresit, përfshirë kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy.

Ai vendosi kurorë tek Ushtari i Panjohur në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit dhe ndoqi një lojë bejsbolli./ VOA

Advertisement