Kosova
BIEN KEMBANAT/ Hill për sulmin në Ibër-Lepenc: Akoma s’ka bazë për t’ia drejtuar gishtin dikujt
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Beograd, Christopher Hill, ka folur rreth sulmit terrorist ndaj kanalit të Ibër-Lepencit, për të cilin Kosova mban përgjegjëse Serbinë. Ai ka thënë se aktualisht “nuk ka bazë” për të akuzuar persona apo entitete të caktuar për sulmin, duke theksuar rëndësinë e hetimeve kredibile për të përcaktuar përgjegjësit.
Hill ka theksuar në një intervistë se SHBA-të janë të gatshme të ofrojnë asistencë në këtë proces, në bashkëpunim me Bashkimin Evropian. “Ajo që është e rëndësishme është të bëhet një hetim i besueshëm, dhe ne shpresojmë që do të arrijmë një rezultat”.
“Nuk besoj në këtë moment se ka bazë për t’ia drejtuar gishtin dikujt… Për fat të mirë ata arritën t’i rregullojnë gjërat brenda një ore, brenda pak ditësh gjithçka është normalizuar, ashtu siç e kuptoj unë, por kjo nuk do të thotë që ne nuk duhet të zbulojmë se si ndodhi dhe kush është përgjegjës”, ka shtuar ambasadori amerikan.
Autoritetet në Kosovë kanë thënë se sulmi ndaj kanalit të Ibër-Lepencit në veriun e banuar me shumicë serbe, i cili siguron ujë të pijes për një pjesë të madhe të Kosovës, dhe mundëson ftohjen e pajisjeve për prodhimin e energjisë, përbën sulmin e dytë ndaj sigurisë kombëtare, pas sulmit paramilitar të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit.
Ndryshe, ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka thënë më 2 dhjetor se është herët të dihet se kush është fajtor për sulmin ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës dhe se në këtë fazë nuk mund të përjashtohet asnjë grup dhe asnjë shtet.