Bota
Bilanc i rëndë lufte/ 500 izraelitë të vrarë nga militantët e Hamasit
Përplasjet mes Izraelit dhe Hamasit vijojnë të mbeten të ashpra, pasi sulmet nga të dyja palët po rëndojnë bilancin e viktimave, përfshirë dëmet e rënda në infrastrukturë.
Bilanci i viktimave po rritet ndjeshëm nga pala palestineze, ku pretendohet se janë vrarë të paktën 400 militantë. Pjesa më e madhe e viktimave janë në Rripin e Gazës, aty ku Izraeli po zhvillon sulme ajrore të rënda.
Mediat izraelite raportojnë se bilanci i viktimave shënoi një rekord tjetër deri më tani, me të paktën 500 të pajetë, që janë vrarë nga militantët e Hamasit.
Të dyja palët kanë rrëmbyer forca dhe civilë të njëra-tjetrës, por ende në një numër jozyrtar. Shifrat ende nuk janë konfirmuar nga autoritetet, pasi bilanci është i vështirë të bëhet, gjatë kohës që sulmet vijojnë pa ndalim.
Një ditë pas nisjes së sulmeve nga militantët e Hamasit, të cilët hynë në Izrael, forcat izraelite pa humbur kohë nisën kundërpërgjigjen. Pamjet e rënda tregojnë se si të dyja palët po përballen me shkatërrim total.
Forcat e Mbrojtjes të Izraelit deklaruan se po shpallin “gjendje gatishmërie për luftë” në përgjigje të sulmit të befasishëm nga Gaza. Ministri i Mbrojtjes ka miratuar një thirrje për rezervistët ushtarakë.
Ushtria izraelite njoftoi se ka ende tetë pika angazhimi brenda territorit të saj, megjithëse pretendon se ka rimarrë kontrollin e pjesës më të madhe të zonave në jug.
Zyrtarët izraelitë kanë deklaruar se do të vijojnë të njëjtat veprime deri sa të marrë kontrollin e të gjitha territoreve ku janë militantët e Hamasit.
Dhjetëra fluturime janë anuluar në Tel Aviv, për shkak të rrezikut që vijon të mbetet i lartë, duke lënë shumë persona të bllokuar.
Ministria e Jashtme këshillon shqiptarët të mos udhëtojnë drejt Izraelit, ofron ndihmë për qytetarët për t’u larguar nga ky shtet
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme këshillon qytetarët të mos udhëtojnë drejt Izraelit, vendit që ka hyrë në luftë dhe po sulmohet vazhdimisht prej më shumë se 24 orësh nga militantët e Hamasit.
Në një njoftim, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme thotë se është në kontakt me të gjithë shtetasit shqiptarë që jetojnë në Izrael dhe vë në dispozicion numrat e kontaktit për qytetarët që duan të largohet nga vendi:
Të kontaktojnë në numrin e WhatsApp: +972 54-904-2813 ose në adresën e emailit: DK@mfa.gov.al
“Prej 48 orësh, kam qenë në kontakt me Ministrin e Evropës dhe Punët e Jashtme z. Hasani dhe përmes Ministrisë dhe stafit të ambasadës jemi në kontakt me shtetasit shqiptarë që jetojnë e punojnë në Izrael për t’i ndihmuar në largimin nga vendi. Me porosi të Ministrit ka vëmendje maksimale për shtetasit tanë, për punonjësit dhe familjarët e ambasadës si edhe për shtetasit nga Kosova, Mali i Zi apo Maqedonia e Veriut”.