Bota
Bilanci i sulmeve të Iranit mbi Izrael, katër të vdekur dhe 70 të plagosur

Konflikti midis Izraelit dhe Iranit shpërtheu, me sulmin e paprecedentë të shtetit hebre, i ndjekur nga përgjigja, në mbrëmje, nga Teherani, me lëshime raketash dhe shpërthime të forta të dëgjuara në Tel Aviv dhe Jerusalem.
Të paktën kater të vdekur dhe 70 persona u plagosën nga sulmet iraniane në Izraelin qendror, përfshirë dy në gjendje kritike dhe të rëndë.
Forcat e ushtrisë izraelite hodhën mbi 300 bomba mbi objektiva ushtarake dhe ato të lidhura me programin bërthamor të Iranit, duke dëmtuar qendrën bërthamore të Natanzit dhe atë të Fordow. Siç raportohet nga mediat iraniane, sulmi i Izraelit ndaj kryeqytetit iranian shkaktoi 78 vdekje midis banorëve dhe 329 të plagosur, me ofensivën që vazhdoi gjatë ditës. Goditja e Izraelit ra mbi zinxhirin drejtues të ushtrisë, me rreth 20 komandantë të vrarë e 7 shkencëtarë bërthamorë.
Mes të vrarëve, është edhe komandanti i Forcës elitare Quds të Gardës Revolucionare Islamike, Gjenerali Esmail Qaani, komandanti i Përgjithshëm i Gardës Revolucionare Islamike, Hossein Salami, komandanti i Shtabit Qendror të Khatam-al Anbiya, Gholamali Rashid, Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura të Iranit, Mohammad Bagheri, dhe dy shkencëtarët Fereydoon Abbasi dhe Mohammad Mahdi Tehranchi. Në sulmet e mëpasshme u vra edhe drejtuesi i Forcave Ajrore të Gardës, Amir Ali Hajizadeh.
Të paktën 6 baza u goditën rreth Teheranit, përfshirë bazën Parchin, një kompleks prodhimi raketash, ku dyshohet se në të kaluarën janë përfshirë edhe teste bërthamore. Avionët luftarakë izraelitë goditën edhe disa pozicione ushtarake të vendosura në periferi të kryeqytetit. Përveç Tabrizit, në veriperëndim ku ndodhen rafineritë kryesore, u sulmuan edhe qytetet e Esfahanit, Arakut dhe Kermanshahit
“Sulmi fillestar ishte një sukses, ne do të vazhdojmë për ditë të tëra”, paralajmëroi Netanyahu. Ushtria izraelite ia atribuon sulmet përshpejtimit të programit bërthamor. Irani tha se sulmi izraelit është një “deklaratë lufte”. Khamenei kërcënoi duke deklaruar se: “Fati i Izraelit do të jetë i dhimbshëm”. Ai akuzoi më pas dhe Shtetet e Bashkuara, të cila u shprehën se kishin patur dijeni për sulemt por se nuk ishin përfshirë. Por “Irani nuk mund të ketë një bombë atomike”, deklaroi presidenti Trump i cili shpreson për negociata.
Teherani njoftoi se forcat e armatosura ishin ngarkuar me “ndëshkimin e Izraelit” dhe bën thirrje për një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ofensiva hakmarrëse nisi në mbrëmjë. Mbi 150 raketa në dy vale goditje. Shpërthime pati në Jerusalem dhe Tel Aviv, ku u goditën të paktën 7 zona. Mediat izraelite njoftuan për disa të plagosur, mes të cilëve vetëm dy në gjendje të rëndë.

