Connect with us

Kosova

Bilbili ra…nuk ka shtesë loje për Kosovën, Knaus: Letra e Qeverisë erdhi vonë

Gerald Knaus, nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet, tha se nuk pret që Kosova të jetë në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës më 17 maj, ku do të mund të votohej për pranimin e saj në këtë organizatë. Kjo, me gjithë faktin se Kosova tha të enjten se i ka dërguar letër Këshillit të Evropës për ta njoftuar se është duke përgatitur draft-statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, për ta dorëzuar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

“Mendoj se letra ka ardhur pak me vonesë”- theksoi Knaus, i cili ka përcjellë nga afër rrugëtimin e Kosovës drejt KiE-së.

“Por, mendoj se vendet anëtare duhet të thonë se e mbështesin nismën e Kosovës dhe duhet të bëjnë thirrje për një samit të jashtëzakonshëm së shpejti – me shpresë brenda disa javësh”- shtoi Gerald Kanus

I pyetur nëse ky hap i fundit i Kosovës është një ndryshues loje, ai deklaroi se më herët Kosova ishte zotuar në letrën e tri institucioneve të saj – presidenti, kryeministri dhe kryetari i Parlamentit – drejtuar Këshillit të Evropës, se do të ndërmarrë një hap për ta bërë këtë të mundur sa më shpejt. Por, në letër nuk thuhet se ky asociacion duhet të jetë i tillë që të pranohet nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sepse nuk do të ketë kurrë një të tillë. Prandaj, me dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të një drafti që kanë hartuar dy institutet më të shquara në Evropë – Instituti Evropian për Paqe dhe organizata FES – Kosova e përmbush obligimin e saj. Pastaj, u takon komunave me shumicë serbe të thonë se duan ta krijojnë apo jo këtë asociacion. Nëse nuk duan ta krijojnë, ai nuk mund t’iu imponohet. Por, Kosova e ka përmbushur obligimin” – deklaroi Knaus, i cili gjithashtu duke folur se sa janë shanset që Gjermania dhe Franca të binden me këtë draft, theksoi se: Demokracia dhe diplomacia kanë të bëjnë me argumente. Kosovës i duhen argumente të fuqishme dhe ajo i ka ato. Ka prej atyre që thonë se Serbia duhet të ketë veto. Ka prej atyre që fshihen pas kërkesës për Asociacionin.

Ka prej atyre që e kanë përcjellë vizitën e Vuçiçit në Paris, ku ka thënë se do t’i kërkojë presidentit të Francës, Emmanuel Macron që të mos e lejojë hyrjen e Kosovës në Këshillin e Evropës, duke premtuar se do të blejë 12 avionë luftarakë, se do të nënshkruajë kontrata me biznesin francez etj etj. Nuk mendoj se Franca – një demokraci krenare që e ka krijuar Këshillin e Evropës për të mbrojtur të drejtat dhe vlerat e njeriut – mund të manipulohet kaq lehtë nga presidenti serb. Pres që të ketë debat. I takon Qeverisë së Kosovës që të bindë këdo dhe gjithashtu duhet dëgjuar raportuesja e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovën, Dora Bakoyannis. Ajo vjen nga një vend që nuk e ka njohur Kosovën dhe në raportin e saj ka thënë se nuk ka pasur kandidate më të përgatitur se Kosova”.

I pyetur: A mund ta vendosë hapi i fundit Kosovën në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës të premten, Gerald Knaus u shpreh qartë: Jo, mendoj se letra e Kosovës drejtuar Këshillit të Evropës ka ardhur pak me vonesë. Por, mendoj se vendet anëtare duhet të thonë se e mbështesin nismën e Kosovës dhe duhet të bëjnë thirrje për një samit të jashtëzakonshëm së shpejti – me shpresë brenda disa javësh. Pra, nëse Kosova e dorëzon këtë draft në Gjykatën Kushtetuese, ashtu siç ka thënë, atëherë duhet të ketë së shpejti një samit dhe Kosova duhet të pranohet këtë verë. Kjo duket reale. Është vonë, por nuk është shumë vonë”.

Duke iu përgjigjur hipotezës – “Dhe, nëse nuk ka takim të jashtëzakonshëm, do të duhet të pritet deri në majin e ardhshëm?”, Knaus deklaroi: Nëse nuk ka takim të jashtëzakonshëm të KiE, atëherë kemi një problem të vërtetë. Është shumë e rëndësishme të argumentohet tani. Është, po ashtu, e rëndësishme që vendet të thonë se me nismën për Asociacionin, me dërgimin e draftit në Gjykatën Kushtetuese, Kosova e ka përmbushur atë që i është kërkuar. Nëse Gjykata Kushtetuese konstaton se drafti është kushtetues, atëherë topi kalon te komunat me shumicë serbe. Ato do të duhet ta krijojnë Asociacionin, sepse nuk mund t’iu imponohet. Dhe nëse nuk e krijojnë, ky nuk do të jetë faj i Qeverisë së Kosovës”.

Advertisement