LAJMI I FUNDIT
BIRN: Grupi i Radoiçiçit në Banjska përdori plumba të rinj dhe mina të prodhimit serb
Municioni i përdorur nga anëtarët e grupit të armatosur gjatë konfliktit në Banjska u prodhua në fabrikën serbe në Belom në vitin 2022, kurse minat e mortajat u riparuan në fabrikat shtetërore në vitet 2018 dhe 2021, tregon hulumtimi i BIRN. Presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe Qeveria e Serbisë mohuan çdo lidhje me grupin e udhëhequr nga Milan Radoiçiç, i cili vrau një polic kosovar në orët e hershme të mëngjesit në Banjska në veri të Kosovës më 24 shtator dhe më pas u barrikadua në manastirin e Banjskës. Qeveria e Kosovës pretendon se përfshirja e Radoiçicit tregon qartë se grupi kishte mbështetjen e Beogradit. Megjithatë, hulumtimi i BIRN, bazuar në analizën e fotografive dhe videove të armëve të publikuara nga policia e Kosovës, si dhe në intervistat me ekspertë të armëve, tregoi se një pjesë e armëve të sekuestruara, të cilat përdoreshin nga grupi i Radoiçicit, janë prodhim i shtetit serb. Ekspertët e intervistuar nga gazetarët e BIRN pohojnë se këto armë mund të kishin arritur në Banjska në disa mënyra: ose ishin vjedhur nga magazinat shtetërore, ose janë shitur nga tregtarët privatë të armëve. Analisti ushtarak Aleksandër Radiç thotë se është e vështirë të imagjinohet se dikush mund të arrijë te sigurojë një sasi të tillë të armëve të rënda pa bashkëpunimin e zyrtarëve shtetërorë serbë. “Serbia ka kontrolle të rrepta mbi eksportet dhe nuk është realiste që kompanitë private të kenë marrë certifikata të përdoruesit fundor, të themi, për disa vende afrikane, dhe më pas kanë marrë armë nga ato për t’ia dhënë grupit të Radoiçicit.” – deklaroi Radiç. Duke iu përgjigjur akuzave se grupi i armatosur ka përdorur armë të prodhuara në Serbi, ministri i Mbrojtjes Millosh Vuçevic tha se kjo nuk dëshmon asgjë, duke theksuar se edhe policia e Kosovës përdor armë të prodhuara në Serbi. Midis armëve të konfiskuara është edhe municioni i kalibrit 7.62×39 mm, një plumb i zakonshëm për një pushkë sulmi, dhe analiza e BIRN tregon se është prodhuar në vitin 2022 në fabrikën Belom në Serbi. Pozicioni i shenjave në plumbat e gjetur në veri të Kosovës përputhet me pozicionin e shenjave në plumbat e të njëjtit kalibër, fotografitë e të cilëve janë publikuar në faqen zyrtare të Beloma. Në arsenalin e grupit nën kontrollin e Milan Radoiçiqit gjetën vend edhe minat e mortajave M73 60 mm. Këto mina prodhohen nga fabrika shtetërore serbe Krušik, – tregon analiza e BIRN. Burimet e BIRN theksojnë se shkrimi cirilik mbi to do të thotë se ato janë bërë fillimisht për ushtrinë serbe, por kjo nuk përjashton mundësinë që pas riparimit t’u shiten tregtarëve privatë të armëve. Prokuroria e lartë publike në Beograd pretendon se armet e përdorura më 24 shtator në sulmin ndaj policisë së Kosovës, kane ardhur nga Tuzla, por këtë e mohojnë zyrtarët e Bosnjë-Hercegovinës.