Kronike
Biseda mes Franc Çopjas dhe policit Çinari: “Po vrasim, po presim, po lejmë lesht, e prapë nuk i dilet”
Mes zyrtarëve shtetërorë që kishin lidhje direkt me Franc Çopja alias Bakon, financuesin dhe drejtuesin e grupit me qendër në Dubai, ka qënë dhe Agustin Çinari, një punonjës policie në Durrës.
Veç ndihmës që Çinari i jepte Çopjas në kohë reale për të parë në sistemin TIMS, lëvizjen e Erjon Alibej, Arjan Spahiut dhe personat e tjerë, ai rezulton të jetë përfshirë dhe në tregtinë e kokainës në Itali.
Furnitori me kokainë i njerëzve që punonin me linjën e policit Agustin Çinari në Itali, ishte Franc Çopja, i cili pas çdo kërkese për “bukë” që bënte Çinari, ai ia dërgonte njerëzve të tij që punonin me këtë aktivitet në Itali, kryesisht në zonën e qyteteve Dalmine dhe Ravena.
Mes shumë bisedash Franc Çopja i shprehet punonjësit të policisë se kërkon njerëz që vrasin me pagesë dhe se ai duhet ta ndihmonte për t’i gjetur gjuajtës, pasi ofronte 1 milion euro për Nuredin Dumanin, ku sipas tij ky i fundit i kishte hapur probleme, por ai hallin e ka me “Tarzanin”, Endrit Alibej, i cili është vrarë prej tij në 29 dhjetor 2018.
Agustin Çinari, i thotë se nuk ishte për këtë punë, por për arrestim. Nëse ja tregonte vendin e Dumanit, shkonin dhe e arrestonin.
Në vijim të komunikimeve ndërmjet tyre, Franc Çopja i dërgon punonjësit të policisë në Durrës një mesazh me tekst si më poshtë vijon:
“…po vrasim po presim, po lejm lesht e prap nuk i dilet…”.
Sipas disa detajeve të nxjerra me shënime nga dosja “Çopja”, shefi i policisë në Durrës, Agustin Çinari në disa raste të përsëritura me porosi të Franc Gergely, ka marë dhe transportuar vlera monetare, të cilat më pas i ka dërguar në destinacionet përkatëse sipas udhëzimeve dhe orientimeve të marra nga Franc Çopja.
Bisedat për transportimin dhe dorëzimin e shumave monetare kryheshin në mënyrë të koduar duke përdorur fjalën “Prada”.
Sipas të dhënave në 2 Gusht 2020 Agustin Çinari, i ka kërkuar Franc Çopja 7 pako me lëndë narkotike, duke ju referuar me kodin “Bukë”.
Këtë sasi lënde narkotike Agustin Çinari, e ka kërkuar për një shokun e tij që operon në qytetin Dalmine dhe Ravena në Itali.
Dy ditë më pas, në 4 Gusht 2020 shefi i policisë Agustin Çinari, me kërkesë të Franc Çopja, ka aksesuar në sistemin TIMS dhe ka dhënë informacione për hyrje-daljet e Erjon Alibej dhe shtetasen E. Rrjolli.
Ndërkohë referuar komunikimeve të kryera ndërmjet Çinarit dhe Franc Çopjas, ka rezultuar se shefi i policisë ka biseduar me punonjës të burgut në Durrës, për të future një telefon të llojit “Iphone” me aplikacionin “Sky eç”, për Altin Ndocin dhe kjo ishte me porosi të Franc Çopja.
Altin Ndoci në këtë periudhë ndodhej në burg, pasi ishte arrestuar pas dëshmisë së Klevis Allës, për vrasjen e dy vëllezërve Haxhia në Durrës.
Madje në shumë raste punonjësi i policisë Agustin Çinari me porosi të Franc Çopja, hyn në sistemin “E-Gjoba”, duke verifikuar targa të ndryshme për identifikimin e pronarëve të makinave, që i dukeshin të dyshimta.
Më 5 Gusht 2020 shefi i policisë Agustin Çinari me porosi të Franc Çopja ka dërguar shumën monetare prej 25 mijë euro në vendin e quajtur “Casa Italia”. Kodi që duhet të përdorte për dhënien e parave ishte emërtua “Prada”.
Gjithashtu, Franci në bisedë me policin Agustin Çinari, në 8 Gusht 2020 flasin lidhur me 73 pako (73 kg lëndë narkotike), të cilat Franci i ka dërguar te lidhjet e Agustin Çinarit në Itali. Në vijim, Franc Çopja, i thotë Agustin Çinari se, nga totali i vlerës së mallit, kokainës së shitur, 34.500 Euro duhet t’i mbajë ai (Agustini) për punën e bërë.
Po kështu në 9 gusht 2020, Agustin Çinari me detyrë punonjës i Policisë së Shtetit, me kërkesë të Franc Gergely, ka aksesuar në sistemin TIMS dhe ka dhënë informacione për hyrje daljen e Erion Alibej, ka kërkuar për pronësinë e disa automjeteve dhe lëvizjen në kufi të Arjan Spahiut.
Po kështu në 27 gusht 2020, Çopja dhe Çinari flasin dhe për nxjerrjen e kokainës nga porti i Durrësit, ku shefi i policisë e garanton se do ta ndihmojë në Portin e Durrësit, nëse Franci është i interesuar për të trafikuar (sjellë) lëndë narkotike në Shqipëri.
Gjithashtu, punonjësi i Policisë së Shtetit Agustin Çinari, e informon shtetasin Franc Gergely se, çdo e-mail për manifest i vjen atij dhe se ai (Agustini) mund të marri numrin e kontejnerit ta përzgjedhë atë dhe ta veçoj.
Më pas dikush nga personat e Francit, mund të marrë lëndën narkotike dhe ta nxjerrë nga porti. Më 29 gusht 2020, punonjësi i policisë Agustin Çinari, informon Franc Gergely, të cilit i dërgon të dhënat e përftuara nga aksesimi në sistemin EGJOBA lidhur me targën e një automjeti tip “Daimler Kraizer” që i përket Markiz Sallufi.
Ndërkohë në 1 tetor 2020, Franc Çopja komunikon me Agustin Çinari, të cilit i shkruan se ofron 1 milion Euro për ekzekutimin e shtetasit Nuredin Dumani dhe e pyet Agustinin nëse ka ndonjë person që mund ta marri përsipër.
Agustin Çinari, i shkruan Francit se ai vetëm mund ta arrestoj Nuredin Dumanin, por për këtë punë nuk është.
Të vënë në dijeni nga një lajm që kishte dalë në media se prokuroria e Elbasanit kishte lëshuar 5 urdhër-arreste për rastin e ngjarjes së Bradasheshit ku mbetën të vrarë tre persona, në 9 Tetor 2020, Franc Çopja, pyet shefin e policisë Agustin Çinari nëse emri i tij dhe Mikael Kamami, ishte nxjerrë në kërkim në TIMS.
Gjithashtu në muajin nëntor 2020, shefi i policisë Çinari me kërkesë të Franc Çopja, ka kërkuar të dhënat në TIMS për një shtetas nga Berati, i quajtur Irfan Azisi. Disa ditë më vonë ky person është tentuar të vritet nga organizata në datën 29 nëntor 2020 në fshatin Poshnjë të Beratit.
Për vrasjen e tij kanë marrë pjesë disa persona dhe arsye e eliminimit të tij ishte për të mos folur, pasi Irfan Azisi, kishte marrë nga Dorjan Shkoza, “Benz”-in e përdorur në vrasjen e Bradasheshit në dhjetor 2018, të cilin më pas e ka çmontuar në tërësisht në Berat për pjesë këmbimi. (Ora News)