Bota
Bisedimet për armëpushim në Gaza do të zgjasin edhe një ditë në Kajro, po bërballen me vështirësi
Negociatorët e Hamasit do të qëndrojnë në Kajro për një ditë tjetër me kërkesë të ndërmjetësve, duke vazhduar bisedimet për të arritur një armëpushim pas dy ditësh pa përparim të rëndësishëm, tha një zyrtar i Hamasit të marten. Bisedimet në Kajro shihen si pengesa përfundimtare për arritjen e armëpushimit të parë gjithëpërfshirës në luftën Izrael- Hamas , një armëpushim 40-ditor gjatë të cilit pengjet izraelitë do të lirohen dhe ndihma do të rrjedhë në Gaza, para Ramazanit, që pritet të fillojnë në fillim të javës së ardhshme.
“Delegacioni do të qëndrojë sot në Kajro për më shumë bisedime, që pritet të përfundojë këtë raund më vonë sot”, tha një zyrtar i Hamasit për Reuters. Rrjeti televiziv i Egjiptit Qahera raportoi gjithashtu se bisedimet ishin zgjatur për një ditë të tretë, por tha se ata po përballeshin me vështirësi.
Më herët, zyrtari i lartë i Hamasit, Bassem Naim i tha Reuters se grupi islamik palestinez u kishte paraqitur ndërmjetësuesve propozimin e tij për një marrëveshje armëpushimi dhe tani ishte duke pritur një përgjigje nga izraelitët, të cilët po abstenojnë nga ai raund.
“Kryeministri Benjamin Netanyahu nuk dëshiron të arrijë një marrëveshje dhe topi tani është në fushën e amerikanëve për t’i bërë presion atij për një marrëveshje,” tha Naim.
Një zyrtar i lartë izraelit, i pyetur për komentet e Naimit se Izraeli po e vonon marrëveshjen, tha: Pretendimi është i pasaktë. Izraeli po bën çdo përpjekje për të arritur një marrëveshje. Ne presim një përgjigje nga Hamasi. Izraeli ka refuzuar të komentojë publikisht mbi bisedimet e Kajros.
Një burim i tha Reuters më herët se Izraeli po frenohej sepse Hamasi kishte refuzuar kërkesën e tij për të ofruar një listë të pengjeve ende të gjallë. Naimi tha se kjo është e pamundur pa arritur më parë një armëpushim pasi pengjet janë të shpërndarë nëpër zonën e luftës dhe po mbahen nga grupe të ndryshme.
Burimet egjiptiane të sigurisë thanë dje, të hënën, se janë ende në kontakt me izraelitët në mënyrë që negociatat të vazhdojnë pa praninë e delegacionit izraelit.
Washingtoni, aleati më i afërt i Izraelit dhe mbështetësi i bisedimeve të armëpushimit, ka thënë se një marrëveshje e miratuar nga Izraeli është tashmë në tryezë dhe i takon Hamasit ta pranojë atë. Hamasi e kundërshton këtë version si një përpjekje për të shmangur fajësimin e Izraelit nëse bisedimet prishen pa një marrëveshje.